Kryesia e Kuvendit të Kosovës mbajti mbledhjen e radhës me shefat e grupeve parlamentare, e aty u vendos që seanca e radhës të mbahet të enjten, më 18 tetor.
Ndërkaq, në orën 10:00, pritet të vazhdojë seanca plenare e Kuvendit, me pikat e mbetura.
Në rend dite janë gjithsej 25 pika.
Armend Zemaj nga LDK-ja, tha se nuk marrin pjesë në seancën e sotme që është vazhdim i asaj të mbetur në gjysmë, raporton KTV.
“Arsyet tashmë janë të ditura. Seanca e thirrjes për të enjten ka ligje më me rëndësi që kanë të bëjnë me shndërrimin e FSK-së në Ushtri. LDK-ja do të marr pjesë në seancën e së enjtes”, tha ai.
Ndërkaq, Albulena Haxhiu nga Vetëvendosja, tha se në këtë mbledhje të kryesisë është vendosur që seanca e radhës të mbahet të enjten.
“Konfirmojmë qëndrimin e VV-së, do të jemi në seancën e së enjtes që ka të bëjë me FSK-në. Por ne shprehim shqetësimet ku pati kërkesa që kjo pako të shtyhet sepse nuk ka buxhet. Tek tash e kanë kuptuar se nuk kanë buxhet për avancimin e FSK- së, por ne insistuam që të jetë në seancë”, tha Haxhiu.