Arbëri

Organizata gjermane ofron mbështetje për arsimin në Drenas

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur në takim përfaqësuesen e organizatës gjermane "Education Unlimited a.V", Kerstin Zielosko Labonte dhe zyrtarin e lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Imer Lladrovci, ku ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit ne fushën e arsimit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Lladrovci ka falënderuar zonjën Labonte për vizitën dhe angazhimin e saj për zgjerimin e bashkëpunimit mes shkollave të Komunës së Drenasit dhe të Komunës së Landit të Baden-Wurttemberg-ut. Ai po ashtu është shprehur i gatshëm për shkëmbimin e përvojave në mësimdhënie e mësimnxënie mes nxënësve e profesorëve nga të dy vendeve si dhe dërgimin e zyrtarëve komunal për marrjen e praktikave në Gjermani në mënyrë që të njëjtat t'i bartin në Komunë.

Labonte ka treguar se sot ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në fushën e arsimit për shkëmbimin e përvojave mes nxënësve nga Kosova e Gjermania.

Labonte ka potencuar se pas përkrahjes dhe zgjerimit të bashkëpunimit me Komunën e Drenasit, shumë shpejt do të fillojnë mbajtjen e punëtorive në Drenas si dhe do të nisin procedurat për binjakëzimin e shkollave gjermane me ato nga Drenasi.

Lladrovci dhe Labonte u zotuan në thellimin e bashkëpunimit për krijimin e kushteve sa me të mira dhe shkëmbimin e përvojave mes dy vendeve.​