Arbëri

Pelegrinët serbë nuk shkojnë në Gjakovë

Përfundon protesta në Gjakovë

Ka përfunduar e qetë protesta e qytetarëve të Gjakovës kundër vizitës së pelegrinëve serbë në Kishën ortodokse.

Gjatë protestës u arrestuan pesë persona, teksa dy protestuese kërkuan ndihmë mjekësore.

Qytetarët e Gjakovës vazhduan me protestë edhe pse orë më parë u bë e ditur se pelegrinët serbë kishin anuluar vizitën për në Gjakovë.


11:55 - Pelegrinët serbë nuk do të shkojnë në Gjakovë.

Lajmin e ka konfirmuar për KTV-në, Kristë Gjokaj, zëdhënës i Policisë në Gjakovë, por edhe pelegrinët serbë për mediat në Serbi.

“Heqim dorë nga vizita në Gjakovë sepse nuk dëshirojmë të futemi në një qark urrejtjeje e tensionesh. Nuk dëshirojmë ekses. Kësaj here serbët nuk janë të poshtëruar, janë të poshtëruara institucionet ndërkombëtare, institucionet e Prishtinës, organizatat joqeveritare, të cilat as pas 20 vjetësh nuk janë në gjendje t’iu sigurojnë serbëve që në Gjakovë, të qetë, me dinjitet, t’i shënojnë festën e pagëzimit, pashkët, krishtlindjet”, është shprehur Gjokica Stanojeviq, kryetar i shoqatës të serbëve të zhvendosur nga Gjakova, raporton RTS.

Nga mëngjesi në afërsi të Kishës Ortodokse kanë protestuar qytetarët e Gjakovës që kishin dalë kundër ardhjes së pelegrinëve serbë. Protestuesit nuk iu besojnë deklaratave zyrtare dhe po vazhdojnë të qëndrojnë para Kishës.


Pesë të arrestuar në protestën në Gjakovë

11:45 - Pesë persona janë arrestuar gjatë protestës në Gjakovë, kundër ardhjes së pelegrinëve serbë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Kristë Gjokaj që për Koha.net ka thënë se ata janë arrestuar për “dëmtim prone dhe pengim të personave zyrtarë”.


Pelegrinët serbë akoma s’kanë ardhur në Gjakovë

11:25-  Zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Kristë Gjokaj, ka thënë se akoma s’kanë konfirmim për ardhjen e pelegrinëve serbë në Gjakovë.

Ai për KP ka thënë se deri tash ata s’kanë arritur. Ka shtuar se edhe protesta kundër ardhjes së pelegrinëve serbë po vazhdon e qetë.

Qytetarët e Gjakovës nisën protestën e tyre sot në orën 08:00.


Protestuesit: Pa drejtësi, nuk ka qetësi

10:40 - “Pa drejtësi, nuk ka qetësi” është thirrja e vazhdueshme e protestuesve në Gjakovë kundër ardhjes së pelegrinëve serbë.

Një numër i madh i qytetarëve gjakovarë ka dalë në protestën e sotme, teksa pranë tyre po qëndron policia edhe me njësitet speciale.

Disa qytetarë madje kanë provuar që me vetura të bllokojnë rrugën për pelegrinët serbë.


Kumnova alivanoset gjatë fjalimit

10:15 - Gjatë fjalimit në protestën kundër ardhjes së pelegrinëve serbë në Gjakovë, është alivanosur Nesrete Kumnova, anëtare e komisionit qeveritar për të pagjeturit.


Protestuesja e mllefosur: Shumë e poshtër kjo Serbi, por më të poshtër këta liderët e zi

09:56 - “Shumë e poshtër kjo Serbi, por më të poshtër këta liderët e zi”, ka brohoritur një protestuese e mllefosur në protestën që po zhvillohet tash në Gjakovë kundër ardhjes së pelegrinëve serbë.

Në protestë, Nesrete Kumnova, anëtare e komisionit qeveritar për të pagjeturit, ka thënë se “nuk ka dëshmi më të gjallë për krimet e Serbisë në Kosovë se vuajtjet e nënave për fëmijët e tyre”.

Kumnova ka thënë se nuk mund ta kuptojë përse askush s’po arrestohet edhe pse të gjithë kriminelët, sipas saj, janë të njohur nga gjakovarët.


Nis protesta ndaj pelegrinëve serbë në Gjakovë

Ka nisur protesta në Gjakovë kundër ardhjes së paralajmëruar të pelegrinëve serbë në këtë qytet.

Kjo protestë u thirr nga qytetarët e Gjakovës “për të kundërshtuar ardhjen e kriminelëve serbë”.

Qytetarët po protestojnë me parullat “S’ka qetësi pa drejtësi” dhe “Gjaku i fëmijëve shqiptarë të vrarë nga Serbia nuk falet”.

Edhe shoqata “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, ka dalë kundër ardhjes së pelegrinëve serbë në qytetin e Gjakovës, shoqatë e cila, përmes një letre të hapur dërguar presidentit Thaçi, kërkoi nga ky i fundit që të ndalojë këtë vizitë.

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, e ka ftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, që t’ua mundësojë serbëve të Gjakovës që sivjet ta vizitojnë kishën.

“Me këtë rast ju lus që personalisht të angazhohen në mënyrë që serbët nga Gjakova më 28 gusht 2018 të mundë ta vizitojnë kishën dhe shtëpitë e veta dhe të mos i nënshtrohen poshtërimit sikur në vitin e shkuar”, ka thënë Kandiqi në letrën e sot e boton e gazeta e Beogradit “Danas”.

E presidenti i vendit tha se “sot, është e paimagjinueshme dhe është e papranueshme që dikush të cenojë të drejtat apo të mos lejojë vizitën e qytetarëve serbë në objektet fetare, qoftë në Gjakovë ose kudo tjetër anembanë Kosovës”.