Arbëri

“Thirrjet e Nënave”, letër Thaçit: Mos lejoni kthimin e kriminelëve serbë në Gjakovë

Descriptive Text

Shoqata “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë i ka dërguar një letër të hapur presidentit të vendit, Hashim Thaçi, përmes së cilës ka kritikuar qasjen e tij në raport me të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.

Në letër, siç transmeton Koha.net, shoqata thotë se Thaçi “ka nëpërkëmbur fatin e personave të zhdukur nga kriminelët serbë në luftën e fundit në Kosovë” dhe i ka “anashkaluar nënat dhe familjarët tjerë duke ua shtuar edhe më tej dhembjen për bijtë dhe bijat e tyre të pagjetur e që cilësohen ende si pengje të Serbisë”.

“Ju e keni për obligim të mbroni qytetarët tuaj, të respektoni gjakun e derdhur për liri, të bashkëjetoni me dhembjet e nënave që presin një grusht eshtra të më të dashurve të tyre e jo të lejoni kriminelët serbë të veshur me petkun fetar dhe në bazë të kërkesës së Znj, Natasha Kandiq, t’i lejoni kriminelët serbë që më 28 gusht 2018, të kthehen në qytetin ku kanë bërë krime”, thuhet në letrën e “Thirrjet e Nënave”, raporton Koha.net.

Kjo shoqatë thotë se nuk do të pajtohen kurrë me ardhjen e tyre në Gjakovë dhe kanë kërkuar nga presidenti i vendit “vet të ndaloni hyrjen kriminelëve e jo ata të shëtisin të lirë dhe të luajnë me fatin tonë”.

“Gjakova ka dhënë aq shumë dhe po vuan ende aq shumë sa ju nga Prishtina as që mund ta paramendoni një gjë të tillë. Dhembja për mungesën e njerëzve tonë na mban në pritje dhe shpresë dhe në vend se të na kthehen eshtrat, ju lejoni të manifestojnë kriminelët sërish në qytetin tonë në zemrën e Gjakovës. Ju lutem ta ndërpritni këtë lojë politike dhe të kryeni obligimet tuaja kushtetuese ndaj qytetarëve e jo të na sillni dhembje të reja në plagët e vjetra”, ka përfunduar letra e shoqatës “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova.

Gjatë ditës së sotme, themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, e ka ftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, që t’ua mundësojë serbëve të Gjakovës që sivjet ta vizitojnë kishën.

“Me këtë rast ju lus që personalisht që të angazhohen në mënyrë që serbët nga Gjakova më 28 gusht 2018 të mundë ta vizitojnë kishën dhe shtëpitë e veta dhe të mos i nënshtrohen poshtërimit sikur në vitin e shkuar”, ka thënë Kandiq në letrën e sot e boton e gazeta e Beogradit “Danas”.

Ndërkaq, pas thirrjes së Kandiqit, presidenti Thaçi tha se do të angazhohet për liri dhe siguri të lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe komunitetin serb, kudo në Kosovë.

“Sot, është e paimagjinueshme dhe është e papranueshme që dikush të cenojë të drejtat apo të mos lejojë vizitën e qytetarëve serbë në objektet fetare, qoftë në Gjakovë ose kudo tjetër anembanë Kosovës”, tha Thaçi në përgjigjen e tij të postuar në Facebook.

“Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve, pa dallim feje, kulture ose përkatësie etnike. Jemi shteti më demokratik në rajon dhe më gjerë, ku komunitetet etnike mbrohen me kushtetutë”, tha Thaçi.