LAJMET E MBRËMJES

Një muaj paraburgim për serbin e dyshuar për vrasjen e 71 civilëve shqiptarë

Radomir Deliqit, i cili është arrestuar të premten nën dyshimin se ka kryer krime lufte në rajonin e Vushtrrisë, i është caktuar një muaj masa e paraburgimit. Sipas Prokurorisë Speciale, ai gjatë kryerjes së veprës penale ka qenë pjesëtar i njësive speciale

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Radomir Deliqit, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në masakrën e 22 majit të 1999-tës në Vushtrri, ku janë vrarë 71 civilë shqiptarë.

I njohur me nofkën “Bate”, Deliqi është arrestuar të premten nga Policia e Kosovës. Sipas Prokurorisë, ai ka qenë pjesëtar i njësive speciale serbe dhe në mënyrë të organizuar dhe të drejtpërdrejtë ka marrë pjesë në privimin nga jeta të popullsisë shqiptare.

Në kërkesën për caktim të paraburgimit, të siguruar nga KOHA, Prokuroria ka pretenduar se ka prova të mjaftueshme e deklarata dëshmitarësh që e lidhin Deliqin me krimet e kryera gjatë luftës.

“I dyshuari i lartcekur, i uniformuar, duke vepruar si zyrtar i MUP-it serb, së bashku me forcat policore, ushtarake e paraushtarake të Serbisë, me dashje, planifikim paraprak dhe role të ndara paraprakisht, në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, kanë kryer veprime të kundërligjshme kundër popullatës civile të paarmatosur dhe të papërfshirë në luftë, duke përfshirë vrasje, trajtim çnjerëzor, torturim, frikësim, shkatërrim të pasurisë, plaçkitje dhe dëbim të popullsisë civile shqiptare”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale.

Në kërkesë theksohet gjithashtu se pas ekzekutimit, trupat e viktimave janë larguar në drejtim të Mitrovicës.

“Konkretisht në oborrin e shtëpisë së R.Gj. ka shtënë me armë zjarri të tipit AK-47 disa herë rafal në drejtim viktimës Sh.D. duke e lënë të vdekur në vend. Gjithashtu i dyshuari në datën e njëjtë rreth orës 12:00 në shtëpinë e K.P. ka marrë pjesë në vrasjen e 71 viktimave civile shqiptare të paarmatosura dhe të papërfshira në luftë, të cilët futen në oborrin dhe në shtëpinë e K. P. dhe ekzekutohen. Pas vrasjeve, trupat e viktimave shqiptare largohen nga vendi i krimit dhe dërgohen në drejtim të Mitrovicës nga forcat serbe”, thuhet në kërkesë për caktim të paraburgimit.

Rreziku për arratisje dhe fakti që jo të gjithë dëshmitarët janë intervistuar, kanë qenë ndër arsyet kryesore që Gjykata e ka vendosur për të dyshuarin masën e paraburgimit.