Arbëri

VV i bashkohet protestës kundër Lumezit, fjalorin e Haradinajt quan “kërcënim për Blakajn”

Descriptive Text

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca bashkë me deputeten nga kjo parti, Albulena Haxhiu, kanë dalë në një konferencë për media për të folur rreth zhvillimeve të fundit në Prokurori.

Haxhiu ka thënë se dorëheqja e ish prokurorit Elez Blakaj tregon për nivelin e kapjes së shtetit.

“Aleksandër Lumezi është argat i politikës konkretisht Thaçit, Veselit e Haradinajt. Sistemi i drejtësisë në Kosovë është në kolaps”, ka thënë Haxhiu, teksa ka ftuar qytetarët që të angazhohen për t’ua kërkuar dorëheqjen.

“T’i heqim këta njerëz nga pushteti dhe ta pastrojmë sistemin e drejtësisë”, ka thënë Haxhiu, për të shtuar se ata do të jenë të pranishëm sot në protestën thirrur nga shoqëria civile për shkarkimin e Lumezit e vetting në sistemin e drejtësisë.

Ndërsa, Glauk Konjufca, ka thënë se letra e Blakajt tregon se në Koosvë ekziston një terror, se njerëzit që janë të thirrur ta luftojnë krimin e korrupsionin janë të ndikuar nga pushteti.

“Kur fletë opozita pushteti thotë se janë lojëra politike, ndërkaq kur del një njeri sikurse Blakaj nga vetë sistemi i drejtësisë gjendja është shqetësuese”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, deklaratat e kryeministrit dhe fjalori i tij kanë tingëlluar “si telefonata kërcënuese që i janë bërë Blakajt”.

“Kërkojmë që këta njerëz sa më shpejt të rrëzohen nga pushteti në mënyrë që të çlirohet sistemi i drejtësisë”, ka thënë Konjufca.