Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, që në dy ditët e fundit kanë kërkuar shkarkimin e saj, pasi në seancën gjyqësore ndaj saj për gazin lotsjellës i kërkoi prokurorit që të dorëzohej. Akterë të lartë të PDK-së kanë kritikuar Haxhiun nëpërmjet rrjeteve sociale, ndërsa LDK-ja të shtunën mbajti një konferencë për media.
Haxhiu i ka akuzuar këto parti duke thënë se “kanë montuar procese politike të gjykimit ndaj VV-së dhe aktivistëve të saj”.
“Prokuroria dhe gjyqësori do të çlirohen nga ata që i kanë kapur ndër vite, pikërisht këta që sot bëjnë zhurmë pa përmbajtje, e mbajnë konferenca pa asnjë kuptim. Të njëjtit përmes njerëzve në sistem, jo rrallë herë kanë montuar procese politike të gjykimit ndaj Lëvizjes dhe aktivistëve të saj. Veprimet politike për të cilat jemi gjykuar kanë qenë përherë publike, sikurse deklarata ime në cilësinë e të pandehurës në linjë me të drejtat e mia që njihen me legjislacionin në fuqi. Thirrja ime e vazhdueshme është që prokurorët të ushtrojnë detyrën me profesionalizëm dhe të heqin dorë nga përndjekjet politike, sikurse po bëhet tash e 7 vite”, ka shkruar Haxhiu në Facebook duke shtuar se “metodat njëzetvjeçare të opozitës për kërcënime dhe pazare nën tavolinë nuk gjenden në Qeverisjen Kurti”.
Duke përmendur disa iniciativa të Lëvizjes Vetëvendosje për drejtësinë, pas ardhjes në pushtet, Haxhiu ka thënë se Kosova do të bëhet vend ku nuk blihet gjyqtari a prokurori.
“Kosova do të bëhet vend ku nuk blihet gjyqtari a prokurori, e nuk caktohet nga politika e nuk përndjek me urdhra të saj. Ndërkohë që askush nuk mund të pasurohet në emër të politikës apo nga ushtrimi i detyrës zyrtare. Krimi, korrupsioni, mitoja, haraçi nuk do të jenë më fjalët kyçe në Kosovë e as të ndonjë raporti të huaj ndërkombëtar siç ishin për 20 vite. Kosova do të bëhet vend i jetueshëm, për të gjithë, jo për të fortët. Kujdestaria juaj nuk e zbehë punën tonë, e ne gjithsesi do të jemi edhe më të kujdesshëm”, ka shkruar tutje ajo.
Edhe
LDK-ja kërkon shkarkimin e Haxhiut
Një ditë më parë, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka akuzuar pushtetin se i do “të gjithë të dorëzuar”. “Sepse, ashtu, të dorëzuar i duan të gjithë. Të dorëzuar i duan mjekët, mësuesit, policët, prokurorët, mediat, shoqërinë civile, opozitën. Kjo mendësi nuk kalon në Kosovë”, pati shkruar ajo.