Arbëri

Askush në Kosovë s’di gjë për gjashtë shtetasit turq të deportuar, familjarët e tyre po ikin nga frika

Foto: Koha

Askush në Kosovë nuk di gjë për fatin e gjashtë shtetasve turq, që u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi. Ata qenë arrestuar në mars të këtij viti, për të dalë para Gjykatës së Stambollit në muajin pasues.

Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina janë dorëzuar pasi kanë mbaruar procedurat e tyre në Departamentin e Antiterrorit pranë Policisë së Stambollit dhe u janë nënshtruar kontrolleve mjekësore. Kjo është informata e fundit që dinë për ta familjarët e avokatët. Institucionet e Kosovës thonë po ashtu se nuk dinë gjë për ata që fillimisht u kishte dhënë leje qëndrimi, e më pas brenda një dite ua kishte revokuar, i kishte arrestuar e dorëzuar para autoriteteve turke.

Koha.net ka kontaktuar me Leutrim Sylën, avokat i Cihan Özkanit, i cili më vonë u angazhua edhe për të deportuarit e tjerë. Ai thotë se s’kanë marrë më informacione nga askush për gjendjen e tyre. Syla, ka thënë se disa prej familjarëve të tyre, tashmë nuk po ndihen të sigurt në Kosovë, dhe kanë filluar procedurave për azil në vende tjera.

“Disa nga familjarët janë në Prishtinë, në banesa private, e ka prej tyre që kanë dalë jashtë vendit dhe kanë aplikuar për statusin e azilit. Për momentin familjarët e tyre janë mirë me shëndet por me frikë dhe gjendje të pasigurisë”, tha ai.

Familjarët e të deportuarve nuk janë njoftuar nga organet turke për gjendjen e familjarëve të tyre, thotë Syla. Ai tregoi se ka informacione vetëm se gjashtë shtetasit turq, tani janë në paraburgim.

“Si avokat nuk kam mundur të marrë më shumë informacione përveç se është mbajtur një seancë dhe që të gjashtë shtetasit turq, janë në paraburgim për momentin”, tha ai.

Kujtojmë se në mesin e tyre, është edhe një shtetas turk që u deportua gabimisht.

Kur Policia e Kosovës me urdhër të AKI-së pati kërkuar të arrestojë shtetasin turk Hasan Hüseyin Demir, në vend të tij kishte arrestuar shtetasin tjetër turk, Hasan Hüseyin Günakan.

Javën e kaluar, drejtori i ri i AKI-së, Shpend Maxhuni, për herë të parë pasi ka marrë postin, raportoi para Komisionit Parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së. Kur u hap tema e deportimit të gjashtë shtetasve turq, nuk u raportua asgjë e re rreth tyre.

Koha.net ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Departamenti për Shtetësi Azil dhe Migracion në Kosovë, por ata kanë thënë se s’kanë informacione lidhur me gjendjen e tyre të tashme.

“Në lidhje me pyetjet tuaja nuk kemi ndonjë informacion për shtetasit në fjalë”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Koha.net ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Ambasada e Kosovës në Turqi, por tash katër ditë ata nuk kanë kthyer përgjigje në interesimin e portalit.

Situatën e deritanishme në lidhje me mospasjen e ndonjë informacioni nga AKI dhe MPB në lidhje me gjendjen e të depërtuarve, avokati Syla e konsideron si provë shtesë për të vërtetuar se nuk kishte të bëjë me deportim, por me një ekstradim në formë të dorëzimit të kundërligjshëm duke shmangur procedurat ligjore, në mënyrë, që siç thotë ai, ky dorëzim të mos dështojë ashtu siç kishte dështuar ekstradimi i Ugur Toksoyt.

“Aty ku edhe Prokurori i Shtetit ishte tërhequr nga kërkesa e tij për ekstradim në mungesë provash. Kësisoj mospasja e ndonjë informacioni nga organet shtetërore e vërteton atë që veç është pretenduar si një vasalitet i shtetit tonë ndaj Republikës së Turqisë. Këtë e mbështes në faktin se deportimi i të gjashtëve është kryer në një terr informativ, me revokim të paqartë të lejeqëndrimeve, me një dëbim ku për ta është nxjerrë urdhër -largim e jo urdhër - dëbim i cili do të duhej nxjerrë në rastin konkret në raste të dëbimit të këtij lloji”, tha Syla.

Ai gjithashtu shtoi se dëbimi ka qenë krejtësisht i kundërligjshëm, e këtë e vërteton fakti se në Turqi, është deportuar edhe personi me dy shtetësi, prej të cilave, njëra shqiptare. “Edhe aplikimi për lejeqëndrim është bërë me dokumente të Shqipërisë andaj edhe dëbimi do të duhej bërë në Shqipëri e jo në Turqi”, tha avokati për Koha.net.

Avokati tjetër Urim Vokshi, më herët ka thënë se familjarët e të deportuarve vetëm kanë ushtruar një ankesë për urdhrin për largim me forcë, por ka treguar se familjarët që janë ende këtu, po përgatisin dosje që kjo çështje të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.

Avokati Syla tha se nëse ky rast nuk zbardhet, e kësisoj personat përgjegjës të sillen para drejtësisë, e të mos mbetet me disa kërkesa për dorëheqje, “mund të ndodhin raste edhe më të rënda në kuptim të shpërfilljes dhe shkeljes së të drejtave të garantuara me legjislacionin në fuqi”.