Jo të gjithë punëtorët e sektorit privat i kanë marrë 100 eurot e Qeverisë. Praninë e rasteve të tilla, ndonëse në numër simbolik, e konfirmojnë edhe në Sindikatën e Sektorit Privat. Ka të tillë që kanë hyrë në borxh duke llogaritur në ato mjete, e të tjerë që kanë thënë se me to kanë shlyer fatura e borxhe
Jo të gjithë punëtorëve të sektorit privat që kanë aplikuar për 100 eurot e Qeverisë u kanë dalë mjetet në llogaritë e tyre.
Hekuran Fetahu punon taksist. Ka treguar se kishte aplikuar si të gjithë të tjerët, për të përfituar nga kjo shumë, porse mjetet ende nuk i ka marrë.
“Kam shikuar në llogari, nuk kanë dalë ende. Ndoshta pritet të dalin. Tjetër s’di ç’të them, ndoshta dalin...Është gjë e mirë për qytetarët”, është shprehur Fetahu.
Se ka raste të tilla e kanë konfirmuar edhe në Sindikatën e Sektorit Privat. Jusuf Azemi, kryetar i kësaj Sindikate, ka thënë se ndonëse numri i tyre është simbolik, ata nuk i dinë arsyet dhe se janë në pritje të sqarimeve nga Ministria e Financave.
“Po, kemi një numër simbolik që tani për tani ne nuk guxojmë të themi se është defekti te ne apo te Ministria e Financave, pasi që mund të ndodhë që aplikacionet nuk janë përmbyllur ashtu si duhet dhe kemi pritur që do të jetë një numër më i madh që do të dalin me defekte, por deri më tash nuk kemi një numër aq të madh”, ka thënë Azemi, duke shtuar se kanë kërkuar nga MF-ja sqarim që për të gjithë ata të cilët nuk i kanë mbushur aplikacionet, t’u jepet edhe një mundësi.
Ka qytetarë që nuk e dinë nëse Ministria e ka kryer transferin në llogaritë e tyre. Njëri prej tyre është Festim Cahani, që është student dhe punëtor i sektorit privat në të njëjtën kohë, por që ka aplikuar për 100 eurot si punëtor.
“Nuk e di a i kam marrë, nuk e besoj. Kam aplikuar te pjesa e punëtorëve se jam edhe student në të njëjtën kohë, por s’e di a i kam marrë. Po si do t’i shfrytëzoj?... I kam shfrytëzuar disa ditë para, disa javë para (v.j. para se të dalin në llogari) sepse i kam kompensuar duke e ditur se do të dalin, por ende s’kanë dalë, tash ta shohin se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Cahani.
Por, shumica kanë treguar se i kanë marrë paratë dhe se i kanë përdorur për pagesë faturash e shërbime bazike.
Kushtrim Ibishi teksa ecte me fëmijët e tij ka thënë 100 eurot ia lehtësuan pagesën e faturave.
“I kam shpenzuar me familje. Shpenzime të përditshme që janë për ta paguar rrymën, bërllokun, ujin”, ka thënë Ibishi.
Punëtorja e sektorit publik, Arzana Statovci, ka thënë se vlera e parasë është ulur e kostoja e jetesës është shtrenjtuar. Kostot e shërbimeve që lidhen me fëmijët i tejkalojnë 100 euro.
“Nuk kam aplikuar se punoj në të shtetit, domethënë kanë dalë bashkë me rrogë. Shumë shtrenjtë është bërë jeta sot dhe ato 100 euro nuk mjaftojnë as për një qëndrim ditor që fëmijës tim t’ia paguaj. Një qëndrim ditor kushton 150 euro në muaj”, ka thënë Statovci.
Përfitues automatik i kësaj skeme ka qenë edhe Drit Gashi, që punon në sektorin publik. Ai i ka vendosur këto para në kursime, por ka thënë se ato do të mund të destinoheshin më mirë për investime e punësim.
“Po, kam aplikuar dhe më kanë dalë të hollat, por mendoj se nuk është një zgjidhje e duhur ajo, është një zgjidhje shumë afatshkurtër. Me ato para që janë shpërndarë ka mundur të hapet ndonjë fabrikë apo diçka dhe ta punësojnë rininë”, ka thënë Gashi. Afati për aplikim u hap më 17 prill, ndërsa u përmbyll më 20 maj.
Ministri i Financave Punës e Transfereve, Hekuran Murati, kishte thënë ditë më parë se për 210 mijë apikuesit për këtë skemë transferet do të përfundonin shpejt. Ndërsa në rrjete sociale kishte shkruar se për aplikuesit e regjistruar si punëtorë në mars do të përfitonin 100 eurot në muajin qershor. Për më shumë se një javë, Ministria nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS se kur përfundon procesi, sa transfere janë bërë dhe ku mund të ankohen qytetarët të cilëve u është refuzuar aplikimi.