Këto pamje janë të vitit 2007. Makineritë kishin nisur punën që rruga “Nënë Tereza”, e cila shfrytëzohej nga automjetet, të shndërrohej në shesh për qytetarët.
Atëkohë kishte pasur qytetarë që këto punime i kishin parë si nisje të fushatës zgjedhore, derisa të tjerë i kishin mirëpritur ato, raporton KOHA.
Kur kishin nisur punimet, kryetari i atëhershëm i Kuvendit Komunal, Ismet Beqiri e kishte quajtur projektin të rëndësishëm, derisa u ishte përgjigjur edhe kritikave ndaj tij.
Tash në vitin 2020, Beqiri është kthyer në vendin ku janë vendosur pllakat e para të këtij sheshi.
Ai thotë se akuzat që pllakat përmbajnë materiale të dëmshme për shëndetin e qytetarëve, nuk ishin të vërteta.
Disa prej qytetarëve të moshuar edhe këto ditë nuk u pëlqen puna që është bërë në këtë shesh.
Shemsi Veseli nga PDK-ja njihet si një nga këshilltarët komunalë më aktivë, i cili ka qenë pjesë e pothuajse të gjitha legjislaturave të Kuvendit Komunal të Prishtinës që nga paslufta.
Ndërtimet pa leje dhe uzurpimet e pronave kanë qenë temat për të cilat ai ka qenë më i zëshëm, kurse tani ka kritika edhe për mënyrën se si është ndërtuar sheshi.
Ndërtimi i sheshit “Nënë Tereza” ka kushtuar afër 2 milionë euro. Sot atij i janë bashkuar sheshet “Skënderbeu”, “Ibrahim Rugova” e ai “Zahir Pajaziti”.