Arbëri

Kuvendi dështon të mbajë seancë për ta rrëzuar Specialen

Descriptive Text

Kuvendi i Kosovës ka dështuar të mbajë seancë të jashtëzakonshme për të rrëzuar Gjykatën Speciale.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit nuk ka mundur të mbahet as në orën 21:00, për herë të dytë brenda ditës.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se procedurat janë asisoj që Ligji duhet t’i shkojë Qeverisë së Kosovës për ta rrëzuar Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Ai ka pyetur shefat e grupeve parlamentare se a janë që të mbajnë Seancën. Aty kanë munguar nënkryetarët dhe shefat e Grupeve Parlamentare nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe nga Vetëvendosje.

“Kjo është joserioze, kur 43 deputetë bëjnë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme është obligim i shefave të grupeve parlamentare dhe nënkryetarëve të Kuvendit që të vijnë në mbledhje të Kryesisë për të dhënë qëndrimin tyre ose pro ose kundër”, ka thënë Ahmet Isufi i AAK-së.

Bilall Sherifi, shef i deputetëve të Nismës ka thënë se procedurat janë të tilla që kërkojnë që Ligji fillimisht të shkojë në Qeveri, e për të cilën Kryesia nuk kishte kuorum.

“Ne nuk mendojmë që të shkojmë në seancë pa mundur ta çojmë ligjin në Qeveri. Nëse sërish nuk ka kuorum, atëherë e gjithë kjo po bëhet për arsye politike dhe duhet të informohen edhe deputetët nënshkrues”, ka thënë Sherifi.

Edhe Memli Krasniqi nga PDK ka thënë se “nuk ka asnjë logjikë që të mbahet seanca, pa mundur që ligji të shkojë në Qeveri”.

“Pra edhe unë mendoj se seanca duhet të shtyhet”, ka thënë ai.

Në anën tjetër nënkryetarja e Kuvendit nga Vetëvendosjes, Aida Durguti, shefi i deputetëve të kësaj partie Glauk Konjufca dhe deputetët Albulena Haxhiu e Liburn Aliu po qëndronin në zyrat e Grupit Parlamentar të LDK-së bashkë me ambasadorët që janë shprehur ashpër kundër që Kosova ta shfuqizoj Ligjin për Specialen.

Në mbledhjen e Kryesisë nuk ishin as përfaqësuesit e minoriteteve.