Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sot edhe një tentim që dialogun ta marrë Kuvendi

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot në orën 10:00, për të shqyrtuar kërkesën e 42 deputetëve që kanë kërkuar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për miratimin e projekt rezolutës për dialogun Kosovë-Serbi.

Pas mbledhje së Kryesisë, Kuvendi menjëherë pritet ta mbajë seancën e jashtëzakonshme.

Mbrëmë, edhe kryekuvendari Kadri Veseli njoftoi se është arritur konsensus mes partive politike. Mësohet se marrëveshja për kalimin e tyre është arritur në mes të Partisë Socialdemokrate dhe pozitës.

Koha.net ka provuar të marrë një qëndrim nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, si parti në opozitë, për të mësuar nëse janë pjesë e këtij konsensusi, por s’ka marrë përgjigje nga asnjëra palë.

Sipas rezolutës e cila pritet të votohet në Kuvendin e Kosovës lidhur me dialogun me Serbinë, kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti do të jetë bashkëkryesues i këtij procesi bashkë me Fatmir Limajn e Nismës Socialdemokrate.

Ditë më parë, nënkryetari i PSD-së, Visar Ymeri konstatoi se procesi i dialogut është i pranueshëm vetëm nëse rezulton me njohjen e ndërsjellë të palëve të përfshira në këtë proces, me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB dhe me përshpejtimin e proceseve integruese të shtetit tonë në NATO dhe BE. Ai nënvizoi se në këtë proces, roli qendror i takon Kuvendit të Kosovës, që duhet ta votojë Delegacionin Shtetëror, ku detyrat, përgjegjësitë e kompetencat e tij definohen dhe saktësohen me projekt-ligjin e propozuar nga PSD, Nisma dhe Alternativa.