Qendra e lëvizjes Vetëvendosje në Obiliq ka vendosur që të mbështesë kandidatin e AAK-së, Xhafer Gashi, në raundin e dytë që do të mbahet më 19 nëntor.
Gashi, që është edhe kryetar aktual i Obiliqit, në balotazh garon me ish-kryetarin e kësaj komune nga radhët e LDK-së, Mehmet Krasniqi.
Zyrtarët e Qendrës së LVV-së në Obiliq nëpërmjet një njoftimi për media, kanë thënë se këtë vendim e kanë marrë për shkak të projekteve që i ka prezantuar Xhafer Gashi për qytetarët e kësaj komune.
“Kryetari i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Kastriot, Abdyrrahman Krasniqi së bashku me sekretarin e kësaj qendre, Ali Nimani, ditët e fundit kanë zhvilluar takime intensive, me shumicën e kryetarëve të pikave të kësaj qendre, e në të cilat është diskutuar për vullnetin qytetar të Komunës së Kastriotit, për zgjedhjet për kryetar komune, të cilat do të mbahen më 19.11.2017. Gjatë këtyre takimeve, në shumicën e pikave si dhe në diskutime të vazhdueshme me strukturat e lëvizjes Vetëvendosje në Kastriot, është paraqitur vullneti që në zgjedhjet e së dielës, të përkrahet kandidati i AAK-së dhe njëherësh kryetari aktual i komunës së Kastriotit, Xhafer Gashi”, thuhet në njoftimin e kësaj qendre, transmeton Koha Ditore.
“Kjo, për arsye të projekteve të cilat pritet të ndodhin në Komunën e Kastriotit, e ku përfitues do të jenë qytetarët e Kastriotit. Qendra e lëvizjes Vetëvendosje, Dega Kastriot, iu bënë thirrje të gjithë aktivistëve të lëvizjes Vetëvendosje të kësaj qendre, që në zgjedhjet e balotazhit të së dielës, ta mbështesin kandidatin për kryetar nga radhët e AAK-së, Xhafer Gashi”, thuhet në komunikatë.
-
Gashi tregon arsyet e dorëheqjes nga AAK-ja e Obiliqit, thotë se do të rikandidojë me listë qytetare
-
AAK-ja e emëron Ali Krasniqin udhëheqës të degës së partisë në Obiliq pas dorëheqjes së Xhafer Gashit
-
Kryetari i Obiliqit nuk e pohon e as mohon largimin nga AAK-ja
-
LDK-ja s’e pranoi dorëheqjen e Gashit, ky i fundit e tërheq
-
Xhafer Gashi jep dorëheqje nga të gjitha funksionet në LDK