Kritikat për parregullsi në ditën e zgjedhjeve lokale ishin të pakta, por jo edhe ankesat e qytetarëve në raport me KQZ-në. Shumë qytetarë janë ankuar se u janë ndërruar qendrat e votimit dhe se për këtë nuk janë njoftuar nga KQZ-ja
Qytetarë të shumtë, në ditën e zgjedhjeve janë kthyer mbrapsht nga qendrat ku kanë votuar në të shkuarën.
Disa prej tyre, me të cilët kontaktoi KOHA, thanë se kanë marrë vesh ndryshimin në momentin kur janë paraqitur në vendvotime.
“E veçanta është që unë prej shtratit, smut jam ardhë me votu. Nuk është në rregull, pa paralajmërim pa kurrgjo. Domethënë emri jonë është zhduk prej listave këtu, është shku në një shkollë tjetër, pa e ditë na hiç. Tash a është në rregull, mosha e tretë me ardhë këtu, unë vetëm mundem mu dorëzu, me thanë leje krejt se nuk po votoj hiç. Këtu më thanë disa se KQZ-ja e ka bërë ndryshimin e listave”, ka thënë një qytetare.
Qytetarët u ankuan se nuk u njoftuan me kohë për ndryshim të qendrave.
“Dikush duhet të jap përgjegjësi për këto parregullsi, pavarësisht a ka të bëj me mu, apo dikë tjetër. Kjo nuk është në rregull kështu dhe duhet të bart pasoja ai që vendos, pa e njoftuar cilindo nga qytetarët e Kosovës”, ka thënë një qytetar.
Kritika për ndryshimin e vendvotimeve dha edhe profesori e njohësi i proceseve zgjedhore, Mazllum Baraliu.
“Mund të jetë një qendër votimi një qendër votimi në qendër qyteti, një tjetër në periferi qytetit. Një prej ankesave ishte kjo, sepse ky proces nuk kishte lëshime të mëdha. Kjo është një defekt serioz dhe për këto gjera të mëdha dhe KQZ duhet ta mendonte mirë, sepse është degraduese. Një pjesë e madhe e popullsisë nuk mund ta ndjekin votimin për këtë. Por ju kur nuk krijoni kushte si Komision, si shtet, atëherë qytetari thonë se nuk na duhet gjë dhe tërhiqet nga vota”, ka deklaruar Baraliu.
Për këto ndryshime dhe për kritikat, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, dha një sqarim gjysmë ore pasi u mbyllën qendrat e votimit.
“Përcaktimi ka qenë përmes adresave që i kanë paraqitur qytetarët ose përmes Kosovës ose përmes Agjencisë për regjistër civil. E kemi vërejtur edhe ne që ka pasur ndryshime të mëdha e disa janë vendosur në disa vende kjo nuk ka qenë për shkak që ne e kemi bërë këtë po për shkak të sistemit të adresave pra në E-KOSOVA, që u përdor për herë të parë për caktimin e qendrave të votimit”, ka thënë Radoniqi.
E në Demokracinë për Veprim vlerësuan se ndërrimet e qendrave të votimit nga KQZ-ja për një numër të konsiderueshëm votuesish kanë shkaktuar telashe serioze në terren.