Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka refuzuar akreditimin e disa mediave serbe për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të së dielës. Kjo ka nxitur reagimin e organizatave të ndryshme, përfshirë Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Anëtarët e KQZ-së për këtë vendim thanë se disa prej mediave janë të njohura për propagandë e shpifje ndaj Kosovës.
Anëtarët e KQZ-së të enjten akredituan 29 media vendore e 13 ndërkombëtare për vëzhgim të zgjedhjeve. E në mbledhje refuzoi dhjetëra media të tjera. Anëtarët e KQZ-së i kërkuan zyrës për regjistrim që të bëjë verifikime të mëtejme për këto media.
Për vendimin, reagoi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që e quajti të papranueshëm vendimin.
“Nga diskutimet e anëtarëve në mbledhje, refuzimi duket i natyrës politike dhe etnike. AGK-ja e sheh këtë vendim si të papranueshëm dhe që shkon në kundërshtim me vlerat demokratike të Kosovës, dhe lirinë e medias në vend. Mediat në gjuhën serbe në Kosovë, janë të regjistruara në ARBK si biznese, ose në MBP si OJQ. Qytetarët serbë të Kosovës kanë të drejtë kushtetuese që të informohen për një proces kaq të rëndësishëm në gjuhën e tyre, gjuhë zyrtare në gjithë Kosovën”, thuhet në reagim të AGK-së.
Edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë shprehu zhgënjim.
“Zgjedhjet e lira dhe transparente varen nga qasja e hapur dhe e njëjtë për të gjitha mediat për të vëzhguar, raportuar dhe informuar publikun për zhvillimet zgjedhore. Kufizimi i akreditimit të mediave në bazë të përkatësisë së perceptuar ndaj komunitetit, gjuhës ose qëndrimit redaktorial kufizon aftësinë e gazetarëve për të kryer detyrat e tyre profesionale”, thuhet në reagimin e OSBE-së në rrjete sociale.
Ky reagim mori mbështetje nga Ambasada Gjermane që e shpërndau qëndrimin duke u kërkuar institucioneve trajtim të barabartë për të gjitha mediat.