Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së pestë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave e në cilat komuna kanë qenë liderët e partive?
Hyseni: Plani ynë për Gjilanin garanton vazhdimësi, zhvillim dhe punë konkrete në çdo lagje
Lëvizja Vetëvendosje në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka mbajtur një tubim në Gjilan.
Kryetari i Gjilanit, njëherësh kandidat i LVV-së për kryetar, ka thënë se para qytetarëve kanë shpalosur planin e qeverisjes së ardhshme.
Ai ka thënë se ku plan garanton vazhdimësi, zhvillim dhe punë konkrete.
“Vizionin dhe planet tona për zhvillimin e Gjilanit i çojmë përpara bashkë më 12 tetor. Sonte para qytetarëve shpalosëm planin e qeverisjes së ardhshme — një plan që garanton vazhdimësi, zhvillim dhe punë konkrete për çdo lagje e çdo fshat të Gjilanit. Për Gjilanin tonë!”, ka shkruar Hyseni.
Abdixhiku: Kryeqyteti është me Përparim Ramën
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Andixhiku ka thënë se Prishtina frymon me kryetarin, njëkohësisht kandidatin për kryetar, Përparim Rama.
Ai është shprehur i bindur që se kryeqyteti është me LDK-në.
“Sonte nuk ishim thjesht në një tubim elektoral. Sonte ishim në një ngjarje që shënonte një vulë të madhe për Prishtinën, për kryeqytetin tonë, për zemrën e këtij vendi. Kryeqyteti frymon kaltër. Kryeqyteti është me LDK-në. Kryeqyteti është me Përparim Ramën. Faleminderit Hajvali! Faleminderit Dega e Pestë! Le të fitojmë!”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook, ku ka bashkëngjitur disa fotografi nga tubimet e mbajtura në kryeqytet.
PDK-ja synon ta fitojë Drenasin pa balotazh
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) synon ta fitojë garën për kryetar të Drenasit pa balotazh.
Kryetari I PDK-së, Memeli Krasniqi, ka thënë se me kandidatin Petrit Hajdari, balotazhin do ta heqin nga tradita e kësaj komune.
“Faleminderit nga zemra, Drenas! Sonte, në Drenas, përgjigjja ishte madhështore, e fuqishme dhe e njëzëshme: PDK është vetëm numri 191! PDK është vetëm Petrit Hajdari! Dhe më 12 tetor, balotazhin do ta heqim nga tradita e kësaj komune!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook, në postimin ku i ka bashkëngjitur edhe disa fotografi nga tubimi i mbajtur në Drenas.
Drejtues të PSD-së premtuan flotë më të madhe autobusësh në Prishtinë e rrjet kanalizimi në Deçan
Kandidatja e Partisë Socialdemokrate për kryeqytetin, Besa Shahini, është zotuar për investime në transportin publik.
Shahini premtoi flotë më të madhe të autobusëve për Trafikun Urban e shtim të numrit të minibusëve për lagjet me rrugë të ngushta si dhe për transportin shkollor në Prishtinë.
Ndërkaq kandidatja tjetër e kësaj partie për kryetare të Deçanit, Natyra Kuçi, është zotuar se me qeverisjen e saj do ta shtrijë rrjetin e kanalizimit në të gjitha fshatrat ku mungon ai, si dhe do të ndërtojë impiante për trajtimin e ujërave të zeza.
“Duke më votuar e mbështetur mua, ujërat e zeza nuk do të mbesin më në sipërfaqe. Ju garantoj që me ardhjen time në qeverisje do të shtrijmë rrjetin e kanalizimit në secilën lagje, në secilin lokalitet të Deçanit... Po ashtu, do të ndërtojmë impiante të cilat do t’i trajtojnë këto ujëra të zeza, para se ato të derdhen në lumë”, ka deklaruar Kuçi.
Abdixhiku: Me Kastriot Shabanin, Shtimja do të ketë kryetar që punon me duar të pastra
Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti tubim në Shtime, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 12 tetorit, raporton Ekonomia Online. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, prezantoi kandidatin për kryetar të komunës së Shtimes, Kastriot Shabanin.
Në fjalimin e tij, Abdixhiku tha se Shtimja është e madhe në zemër dhe me të ardhme për njerëzit e këtij qyteti.
“Shtimja është zemër e Kosovës. Nga ky qytet janë rritur gjenerata që kanë dhënë për arsimin, për bujqësinë, për kulturën. Nga ky qytet kanë dalë njerëz që kanë luftuar për vendin, që kanë dhënë gjithçka për liri dhe pavarësi. Dhe sot, ky qytet meriton që të gjithë ne të japim gjithçka për të. Sepse Shtimja nuk mund të mbetet mbrapa. Shtimja duhet të ecë përpara. Katër vitet e fundit kanë qenë të vështira për popullin e Kosovës, padyshim dhe për qytetin tuaj. Premtime të mëdha janë dhënë, por veprat kanë munguar. Fjalë të bukura janë thënë, por rezultatet nuk janë parë. Një qeveri që foli për ndryshim, por që solli zhgënjim. Një qeveri që tha se do të punojë për qytetarët, por në fund punoi për familjarë. Ata harruan fermerët tanë. Ata harruan mësuesit tanë. Ata harruan të rinjtë. Ata harruan qytetet tona. Dhe po, ata harruan edhe Shtimen”, tha Abdixhiku.
Ai tha se LDK-ja sjell shpresë dhe ndryshim, duke prezantuar Kastriot Shabanin si njeriun që do ta udhëheqë qytetin me përgjegjësi dhe përkushtim.
“Por unë ju them sonte: kjo kohë po mbaron. Sepse LDK-ja është këtu. Sepse LDK-ja sjell shpresë. Sepse LDK-ja sjell ndryshim. Prandaj, sonte jam krenar që para jush prezantoj njeriun që do ta udhëheqë Shtimen në katër vitet e ardhshme. Njeriun që do ta kthejë këtë qytet në shembull të qeverisjes së mirë. Njeriun që do të punojë për secilin prej jush. Ky është kandidati ynë: Kastriot Shabani. Kastrioti është njeri i juaji. Është biri i kësaj toke. Është njeri që ka jetuar këtu, që ka parë hallet tuaja, që i njeh problemet e këtij qyteti më mirë se kushdo tjetër. Ai nuk vjen nga jashtë, nuk vjen për poste, nuk vjen për privilegje. Ai vjen për shërbim. Vjen për punë. Vjen për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj. Në Kastriotin ju gjeni kryetarin që ju e meritoni. Ai është njeri që nuk flet shumë, por punon shumë. Ai është njeri që nuk premton gjëra të pamundura, por jep fjalën për gjëra të arritshme. Ai është njeri që nuk rri në zyrë, por del në rrugë, del në fshatra, del te njerëzit, ju takon, ju dëgjon dhe ju përfaqëson. Me Kastriot Shabanin, Shtimja do të ketë një kryetar që punon me duar të pastra, me zemër të hapur dhe me përkushtim të plotë. Por një kryetar i mirë ka nevojë edhe për një asamble të fortë. Dhe këtë asamble e ka Lidhja Demokratike e Kosovës”.
Ndërsa, Kastriot Shabani u zotua se do të punojë për zhvillimin e Shtimes, duke e parë udhëheqjen si përgjegjësi dhe jo si privilegj.
“Ka ardhur koha të mos mendojmë për parti, por për qytetin. Më 12 tetor qytetarët do të votojnë për një të ardhme më të mirë. Mbështetja do të bazohet vetëm në programin dhe vizionin tonë. Shtimja është qytet i qetë me potencial të madh për qytetarët e ndershëm. Pozita udhëhiqet kur shihet si përgjegjësi. Ne po punojmë në shumë takime me shumë qytetarë. Ka ardhur koha të mos mendojmë për parti, por për qytetin. Le ta zhvillojmë Shtimen në dy mënyra. Më 12 tetor do të festojmë ne dhe për katër vjet do të festoni ju qytetarët”, tha Shabani./EO
Kupina premton rindërtim të stadiumit “Fadil Vokrri” e rritje të subvencioneve për klubet sportive
Bartësi i listës së Lidhjes për Prishtinën, Fehmi Kupina, ka premtuar rindërtimin e stadiumit “Fadil Vokrri”, karshi përmirësimeve në arsim, transport e kulturë.
Lidhja për Prishtinën është listë me 56 kandidatë për Kuvendin Komunal të Prishtinës, mirëpo ky subjekt nuk ka kandidat për kryetar të Komunës. Partia fillimisht nuk ishte certifikuar për shkak të emrit, që sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës ngjante me të, por më pas certifikimi u obligua nga Paneli Zgjedhor për Ankesa.
Kupina ka premtuar rritje të subvencioneve për klubet sportive, ndërtim të unazës së kryeqytetit e stacion të ri të autobusëve.
“Me Lidhjen e Prishtinës do të kemi: Lagje të jetueshme për qytetarët e jo për interesat partiake, arsim dhe të ardhme për fëmijë, shkollat do të jenë me kushte dinjitoze, transport dhe lëvizje të lirë, pa stres. Më shumë sport e rekreacion e më shumë jetë. Do të bëhet rindërtimi i stadiumit ‘Fadil Vokrri’ dhe fusha sintetike për çdo lagje”, ka theksuar Kupina.
Ali Berisha vazhdoi fushatën me kritika për qeverisjen në Pejë e Besnik Krasniqi për atë në Prizren
Kandidati i AAK-së për kryetar të Pejës, Ali Berisha, i cili synon rikthimin në qeverisjen lokale, ka kritikuar udhëheqjen aktuale, për, siç tha, menaxhim të dobët. Berisha tha se qyteti po përballet me shuarjen e bizneseve dhe largimin e qytetarëve.
Në Suharekë, Bali Muharremaj fushatën elektorale e vazhdoi me një aktivitet sportiv me persona me aftësi të kufizuara.
Në Prishtinë, kandidati për kryetar, Bekë Berisha, ka shprehur mbështetje për grupin e asamblistëve të partisë së tij duke kërkuar votën e qytetarëve për ta.
Në Deçan, Bashkim Ramosaj ka kërkuar mbështetjen e diasporës me fillimin e procesit të votimit jashtë vendit, ndërsa në Prizren, Besnik Krasniqi ka kritikuar punimet e papërfunduara në shkollën “Nazim Kukullari – Budakovë”, duke akuzuar qeverisjen lokale për mungesë përgjegjësie.
Buja prezanton projektin për Sitnicën
Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka prezantuar projektin e tij për lumin Sitnica.
Ai ka thënë se do të rregullohet shtrati i lumit, e po ashtu do të ndërtohen kënde lojërash për fëmijë e gjelbër.
Buja e ka prezantuar projektin në Facebook.
“Në mandatin tonë, do të fillojmë rregullimin e shtratit të lumit Sitnica në pjesën që shtrihet në anën e majtë të rrugës “Hajredin Bajrami”. Aty ku sot kemi një hapësirë të degraduar, nesër do të ndërtojmë një zonë funksionale dhe atraktive për qytetarët tanë. Do të ndërtojmë shtigje për ecje dhe çiklizëm, do të krijojmë kënde lojërash për fëmijë, hapësira për relaks dhe gjelbërim – një zonë urbane e re që do t’i japë frymëmarrje qytetit dhe do të afrojë njerëzit me natyrën. Ky projekt nuk është vetëm rregullim i një shtrati lumi është investim në cilësinë e jetës, në mirëqenie, në kohën e lirë, në qytetin që duam t’ua lëmë brezave të ardhshëm. Ky është vizioni ynë: një Lipjan i pastër, i gjelbër, me hapësira për familje, për fëmijë, për të rinj e për të moshuar. Qyteti nuk rritet vetëm me ndërtesa rritet me kujdes për natyrën, për ambientin dhe për njerëzit. Lipjani i së nesërmes fillon sot me projekte që prekin jetën tuaj, çdo ditë”, ka shkruar Buja.
Rama prezanton punët në Prishtinë, në Shtërpcë LDK-ja synon të luftojë pabarazinë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili po e kërkon edhe një mandat, ka prezantuar të mërkurën renovimin e plotë të Poliklinikës Stomatologjike, e po ashtu ka premtuar investime në rrugët e “Ulpianës”, në zëvendësimin e rrjetit të kanalizimit dhe në ndërtimin e kolektorit të ri, në rast se fiton besimin e qytetarëve më 12 tetor.
Në një ceremoni kushtuar hapjes së poliklinikës pas renovimit, sipas tij tërësor dhe pajisjes me inventar të ri, Rama ka thënë se për herë të parë po ofrohen edhe shërbime sekondare.
“Tashmë nuk ka pritje, pra qytetarët nuk presin për shërbimet, përkundër faktit që ne ofrojmë shërbime për qytetarët e kryeqytetit, diku më shumë se 30 për qind të shërbimeve i kryejmë edhe për qytetarët e tjerë të regjionit të gjithë Kosovës. Shërbime të cilat kryeqyteti nuk paguhet për to, prandaj duhet t’i kemi parasysh që niveli qendror fondet që dedikohen për kryeqytet të jenë në pah me elemente, me shërbime që ne i kryejmë për qytetarët jo vetëm për qytetarët e kryeqytetit, por edhe të gjithë Kosovës, ka theksuar Rama.
Në Pejë kryetari aktual Gazmend Muhaxheri ka deklaruar se në mandatin e fundit janë ndërtuar 10 shkolla të reja e në Shtërpcë kandidati i kësaj partie për kryetar, Valmir Ahmeti, ka akuzuar udhëheqjen aktuale për diskriminim të shqiptarëve.
Ai tha se në projektbuxhetin e vitit 2026, nga mbi 2.6 milionë euro të ndara për investime kapitale, vetëm 48 mijë euro apo 1.8% – janë paraparë për zonat e banuara me shqiptarë, ndërsa 98.2% për zonat e banuara me serbë.
Ndërkohë në Dragash kryetari aktual Bexhet Xheladini ka kërkuar besimin e qytetarëve, duke numëruar investimet e bëra në mandatin që po përfundon.
“Kemi investuar shumë në arsim, shëndetësi, kulturë, rini, sport dhe digjitalizim. Subvencionet në bujqësi dhe blegtori. Nëse një pauzë ndan një video nuk dallon një vizon. Punët flasin vetë, ne vazhdojmë”, ka thënë ai.
Kandidatët e LVV-së premtojnë 5 çerdhe të reja në Viti e rinovim të banesave të vjetra në Mitrovicë
Në ditën e pestë të fushatës, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, ka premtuar renovim të banesave të vjetra, menaxhim të ujërave të zeza, largimin e mbeturinave dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së gjelbër në këtë komunë.
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka zhvilluar takime lidhur me sektorin digjital dhe atë të teknologjisë inovative, ku është shprehur se do të angazhohet në rritjen e investimeve dhe zhvillimin e këtij sektori në Prishtinë.
Në Viti, kandidati Arsim Ademi është zotuar për ndërtimin e pesë çerdheve të reja brenda mandatit, mbështetje të bizneseve dhe fermerëve, modernizim të infrastrukturës dhe furnizim me ujë të pijshëm në kapacitet të plotë.
E kryetari i Shtimes që synon edhe një mandat, Qemajl Aliu, në kuadër të fushatës ka zhvilluar takime me përfaqësues të organizatave joqeveritare, me të cilët tha se ndanë shqetësime e ide për jetën kulturore e shoqërore në qytetin e tij.
Aliu u shpreh se edhe në mandatin e dytë do të mbështesë fuqishëm komunitetet për projekte e aktivitete kulturore për Shtimen.
Tahiri i LDK-së premton përkrahje për bizneset në Vushtrri
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se në planin e tij 4-vjeçar e ka kompensimin e dëmeve të bizneseve dhe rregullimin modern urban të lagjes ikonike “Pandeli Sotiri”.
Ai ka zhvilluar një takim me banorët e kësaj lagjeje të mërkurën. Ai në postim në Facebook ka shkruar se 14 lokale janë mbyllur e 100 vende pune janë shuar e bizneset kanë humbur qindra e mijëra euro, për shkak të punëve të pa planifikuara mirë nga pushteti aktual komunal.
“Në lagjen ikonike ‘Pandeli Sotiri’ të qytetit, bashkë me profesorin e kitarës kandidatin tonë shembullor Altin Tërdevci takuam banorët dhe bizneset aty. S’po them unë asnjë fjalë për këtë lagje, sepse ju e shihni vet çdo ditë, 14 lokale të mbyllura gati 100 vende pune të shuara, qindra mijëra euro humbje bizneseve aty, 0 kompensime të dëmit nga Komuna, krejt kjo për shkak të punëve jo kualitative, të pa planifikuara mirë të Komunës. Prezenca e babait te Erzenit ishte fort emocionale. Në planin tonë për 4 vitet e ardhshme do të kompensojmë dëmet bizneseve, do të bëjmë rregullim modern urban të kësaj lagje, e rrugën nga ‘Pandeli Sotiri’ do ta riemërtojmë rruga “Erzen Hyseni””, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Memli Krasniqi kërkon rikthimin e PDK-së në Klinë e Malishevë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, u ka dhënë mbështetje kandidatit të partisë për kryetar të Klinës, Sokol Bashota, dhe atij për kryetar të Malishevës, Gëzim Krasniqi.
Në një tubim në Caravik të Klinës, të mërkurën, ai ka theksuar se shumica e projekteve të mëdha që e kanë transformuar Klinën nga një qytezë e vogël e të lënë anash, në një qytet të vërtetë, sipas tij, janë meritë e Bashotës, i cili ka mbajtur pozitën e kryetarit në mandatin 2013-2017.
Ai ka kërkuar nga të pranishmit në tubim të mobilizohen për rikthimin e Bashotës në krye të Komunës së Klinës.
“Më datën 12 tetor të bëhemi bashkë në mënyrë solemne e të organizuar, të shkojmë te kutitë e votimit dhe të votojmë për numrin 191, për PDK-në dhe për kandidatin tonë e kryetarin e ardhshëm Sokol Bashota”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka kërkuar nga të pranishmit të mobilizohen për rikthimin e Bashotës në krye të Komunës së Klinës.
E rikthim të PDK-së në pushtet, Krasniqi ka kërkuar edhe në Malishevë, gjatë një takimi me qytetarët.
Ai, të martën mbrëma, ka thurur lavde për kandidatin për kryetar komune, Gëzim Krasniqi.
“Doktor Gëzimi është shembull i një personaliteti me vlera të larta profesionale e kombëtare. Një pediatër që për mbi 20 vjet ka qenë pranë çdo fëmije e çdo shtëpie në Komunën e Malishevës. Një mjek që nuk është kursyer as ditën e as natën, që nuk ka shikuar orar, por vetëm ka shikuar nevojat e qytetarëve të kësaj komune. Një luftëtar i lirisë, që si student iu bashkua UÇK-së me zemër e pa llogari personale. Më 12 tetor, zgjedhja është e qartë për secilin qytetar që e do Malishevën me zemër: doktor Gëzim Krasniqi, numri 191 – Partia Demokratike e Kosovës”, ka theksuar lideri i PDK-së.
E kandidati për kryetar të Malishevës, Gëzim Krasniqi, ka theksuar se programi i tij është më i miri.
“Atyre që kanë dilema, tregojuni që programi i Partisë Demokratike është programi më gjithëpërfshirës dhe do ta prek secilin qytetar të Malishevës, pa dallim partie”, ka thënë ai.
Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, të mërkurën ka takuar biznesmenë lokalë. Ai ka premtuar se do të përmirësojë kushtet e të bërit biznes në Lipjan.
“Folëm për vizionin tonë për zhvillimin ekonomik lokal. Për zonat ekonomike moderne dhe për parkun industrial që synojmë ta zhvillojmë në Kërçevë, QMI e Babush. Diskutuam për mbështetjen që do t’u japim bizneseve të vogla, për një zyrë që do t’u ofrojë sipërmarrësve ndihmë financiare, ligjore dhe qasje në fonde ndërkombëtare. Po ashtu, për vizionin tonë për konferenca, platforma digjitale e inkubatorë biznesi që do të sjellin investime dhe ide të reja”, ka shkruar Buja në rrjetet sociale.
E Uran Ismaili që kandidon për kryetar të Prishtinës, ditën e pestë të fushatës ia ka dedikuar lagjes “Dardania”.
“Këto janë zotimet e mia për ‘Dardaninë’: Ju pres sonte në shkollën ‘Dardania’ në ora 19:00 ku do të flasim për projektet e mia konkrete për Dardaninë: rinovimi i të gjitha ndërtesave, riparimi i të gjithë ashensorëve, revitalizimi i Kurrizit dhe i hapësirës rreth Santesë, 2 parkingje nëntokësore, qendër multifunksionale me pishinë gjysmë olimpike, rreth 14 milionë € investime për 4 vite”, ka thënë Ismaili.
Kandidati i PDK-së për kryetar komune në Rahovec, Edon Cana, ka premtuar ndërtimin e unazës së qytetit, në rast se merr votat për t’u zgjedhur kryetar më 12 tetor.
“Rahoveci 2035 parasheh Unazën e Qytetit dhe kthimin e Rrugës së UÇK-së në rrugë të qytetit, që garanton një qytet funksional, të sigurt dhe të denjë për të ardhmen. Me tri akse të reja, do të largohet trafiku nga qendra, do të rritet siguria dhe do të hapet rruga për zhvillim ekonomik modern”, ka thënë ai.
Ismaili: Dy parkingje nëntokësore dhe buxhet prej 14 milionësh vetëm për Dardaninë
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka vazhduar me prezantimin e zgjidhjeve specifike për lagjet e kryeqytetit, ku pas Kodrës së Trimave, të mërkurën vazhdoi me Dardaninë – një nga lagjet më të rëndësishme të kryeqytetit.
Ismaili u zotua se kjo lagje do të marrë më shumë vëmendje dhe investime konkrete.
“Dardania ka nevojë për jetë më të mirë në lagje, jo për hapësira pa gjallëri e pa mirëmbajtje”, është shprehur ai.
Projektet identifikuese të Urani Ismailit për Dardaninë përfshijnë: rivitalizimin e plotë të Kurrizit dhe hapësirës rreth Santesë, rinovimin e të gjitha ndërtesave me fasada të reja, izolim dhe panele solare, riparimin e të gjithë ashensorëve ekzistues në lagje, ndërtimin e dy parkingjeve nëntokësore për të liruar hapësirat publike para ndërtesave, krijimin e një qendre multifunksionale të lagjes me pishinë gjysmë-olimpike dhe hapësira rekreative.
Ismaili theksoi se këto projekte do ta kthejnë Dardaninë në një lagje më funksionale, me hapësira moderne dhe të mirëmbajtura, ku qytetarët do të ndihen pjesë e një jete urbane më të gjallë dhe cilësore.
Shahini tregon planet për trafikun urban në Prishtinë
Kandidatja për kryetare të Prishtinës nga Partia Socialdemokrate, Besa Shahini ka thënë se një nga ndërmarrjet më të rëndësishme të kryeqytetit është Trafiku Urban.
Ajo ka thënë se mijëra qytetarë udhëtojnë çdo ditë me autobusë, ndaj investimi në transport publik do të thotë më pak trafik në Prishtinë.
“Biseduam për planin tonë për një flotë më e madhe autobusësh për Trafikun Urban dhe të shtohen minibusë për lagjet me rrugë të ngushta, si dhe për transportin shkollor. Vizituam objektin që urgjentisht duhet të renovohet dhe biseduam për përmirësimin e kushteve të punonjësve, përfshirë edhe rritjen e pagave”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ajo ka thënë se ndërmarrjet publike janë thelbësore për ofrimin e shërbimeve qytetare. Ato duhet të mbështeten dhe zhvillohen, jo të shndërrohen në fushëbeteja partiake.