Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Artan Abrashi, thotë se i ka pranuar me shqetësim lajmet për raste të raportuara për blerje votash në shumë prej 120 eurosh.
Në një konferencë për media në Prizren, Abrashi, ka thënë se është devijim i rëndë nga parimet e procesit të ndershëm zgjedhor e cenim i vullnetit të lirë qytetar.
Ai tha se është e papranueshme.
Abrashi doli i dyti në raundin e parë, ndërsa në balotazh do të jetë me kryetarin aktual, Shaqir Totajn e PDK-së, që në raundin e parë mori 41.99 për qind të votave, sipas të dhënave aktuale në KQZ kur janë procesuar rreth 95 për qind të vendvotimeve. Abrashi mori 29.8 për qind.
“Me shqetësim të thellë pranuam lajmet për rastet e raportuara në media për blerje të votës për shumën prej 120 eurove. Kjo për ne dhe për të gjithë përbën devijim të rëndë nga parimet e procesit të ndershëm zgjedhor dhe është cenim i vullnetit të lirë qytetar. Është e papranueshme dhe bie ndesh me çdo përpjekje që kemi bërë për një fushatë të ndershme”, tha Abrashi.
Ai tha se ka pasur gjatë fushatës sulme kibernetike e po ashtu fyerje online nga “militantë të pushtetit me profile të rreme në rrjete sociale”.
Ka thënë se çdo rast i tillë do të denoncohet.
E ndërkohë ka ftuar për bashkëpunim.
“Sot dua të bëjë thirrje të sinqertë e parimore. Të bashkohemi për Prizrenin, t’i bashkojmë vizionet e përvojat, pavarësisht partive apo bindjeve, për të ndërtuar një platformë të përbashkët për zhvillimin e qytetit tonë. Vizioni im mbetet i njëjti si në ditën e parë të fushatës, të qeverisi me gujithë ata që ia duan të mirën Prizrenit. E them hapur me respekt e përulësi, është ftesë prë bashkëpunim dhe kjo ndarje”, ka thënë Abrashi.