Edhe katër ditë e ndajnë Kosovën nga procesi zgjedhor i 11 qershorit, ndërsa institucionet që janë të thirrura të ofrojnë siguri e të garantojnë proces të drejtë e të qetë kanë treguar se kanë bërë përgatitjet maksimale për ditën e zgjedhjeve, raporton KTV.
Në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, me mbështetje të Ambasadës Amerikane, koordinatorja nacionale për zgjedhje, Laura Pula, ka treguar se në ditën e zgjedhjeve, në terren do të jenë 100 prokurorë, që do të veprojnë në 38 komuna së bashku me hetues të policisë.
Ndërkohë, aty e vetmja përfaqësuese nga partitë politike ishte Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes.
Ajo tha se mungesa e koalicioneve të mëdha tregon më së miri se ata po bëhen gati të keqpërdorin votën e qytetarëve.
Haxhiu ka pyetur edhe nëse kanë nisur hetimet nga prokuroria për rreth katër mijë aplikacione të ardhura nga Serbia ditë më parë, por nuk mori përgjigje.