Zgjedhjet lajme

MPJ e Shqipërisë: Zgjedhjet, provë e konsolidimit të demokracisë në Kosovë

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka reaguar në lidhje me procesin zgjedhor në Kosovë, duke e konsideruar një proces të drejtë e konkurrues.

Në një njoftim MPJ e Shqipërisë thekson se “Përshëndet procesin demokratik që karakterizoi zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, të cilat u zhvilluan më 11 qershor 2017. Shprehja e vullnetit të lirë në një proces të drejtë e konkurrues përbën një tjetër provë solide të konsolidimit të demokracisë në Kosovë.”

“MPJ shpreh besimin se institucionet e reja do të krijohen së shpejti, në përputhje me vullnetin e shprehur dhe kushtetutën e vendit, për t'iu përgjigjur përparësive, nevojave dhe sfidave të zhvillimit, përfshirë përshpejtimin e procesit të integrimit euroatlantik”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

MPJ thekson më tej se pret të vijojë sa më parë bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë e re, në të mirë të forcimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës, por “edhe për të dinamizuar e konkretizuar më tej bashkëpunimin në kuadrin rajonal”.

Kujtojmë se dje në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku garuan 26 subjekte politike: 19 parti politike, pesë koalicione dhe dy nisma me gjithsej 971 kandidatë.