Zgjedhjet lajme

Haziri: As nuk do të ulemi në tavolinë me mosmirënjohësit

Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së ka thënë se kjo parti nuk do të ketë asnjë marrëveshje me ata që u treguan mosmirënjohës, duke mos precizuar parti politike.

Sipas rezultateve aktuale të numëruara nga KQZ, LDK me koalicionin LAA pritet të dalë partia e tretë duke mbetur prapa koalicionit PAN dhe Vetëvendosjes.

Haziri, që bëhet fytyra e parë e LDK-së që flet pas këtyre rezultateve, ka thënë se me mosmirënjohësit as nuk do të ulen në tavolinë.

Haziri që nga radhët e LDK-së është kryetar në Gjilan ka humbur edhe në komunën që ai udhëheq. Aty tani pozitën e parë e ka marrë Vetëvendosje.

Ky është postimi i Hazirit në Facebook:

“Faleminderit votuesve për konfirmimin e votave për LDK’në në Gjilan. Punuam për rritje, por arritëm në shifrën e afro 14 mijë votave.

Por, të zhgënjyerit e koalicionit të PDK’së ndihmuan në ‘rritjen’ e VV’së edhe në Gjilan. Ne e respektojmë vullnetin e qytetarëve dhe vazhdojmë ta ruajmë dhe rrisim besimin tonë me ju.

LDK konfirmon se nuk do të ketë asnjë marrëveshje apo bashkëpunim me ata që u treguan mosmirënjohës. Madje, as me ndërmjetësues nuk do të ulemi në tavolinë me ta.

Nesër duhet të themi se si LDK e kemi ruajtur votën tonë, se do të mbajmë unitetin e koalicionit dhe se vendimet do t'i marrim pasi të certifikohen rezultatet.

Sovrani nuk i dha askujt legjitimitetin ta formojë qeverinë, përkundër festave partiake. Ne vazhdojmë punën tonë në çdo sfidë.

Uroj që Gjilani të ketë më shumë deputetë në Kuvend dhe të punojnë për Republikën e Gjilanin.

Dhe, Gjilani nga nesër i kthehet punës, pastrimit nga posterët e slloganet zgjedhore, për ta normalizuar punën e qeverisjes lokale, duke e ruajtur besimin e mbi 60 për qind tuajin për punët komunale”