Zgjedhjet lajme

Haradinaj: Asociacioni i Marrëveshjes së Brukselit nuk do të bëhet

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se Asociacioni nuk do të bëhet.

“Asociacioni i Marrëveshjes së Brukselit nuk do të bëhet pasi edhe vetë Gjykata e Kushtetutës e ka hedh poshtë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se Asociacioni i Marrëveshjes së Brukselit ka rënë dhe nuk ekziston më.

“Improvizimet dhe gjetja e daljeve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i rrezikshëm. Për të qenë të sigurt që nuk po bëjmë ndonjë shkelje në interpretim të vendimit duhet t’i kthehemi veç kushtetutës pasi ajo është e avancuar”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se marrëveshja e vitit 2013 nuk prodhon rreziqe pasi aty shkruhet koordinim.

“Se çfarë ka bërë Mustafa dhe pse e ka ngritur nga një mundësi Asociacioni që koordinon në një Asociacion që ka parlament, president dhe organe vendimmarrëse dhe ekzekutiv unë nuk e di. Është fat i madh që opozita ka reaguar me kohë dhe që Gjykata Kushtetuese e pa që nuk ishte në harmoni”, ka shtuar Haradinaj.

Se PDK-ja është interesuar që të bëhet asociacioni, Haradinaj ka thënë se marrëveshja e koalicionit të tyre është të bëjnë çka kërkon Kushtetuta, e jo marrëveshja e Brukselit.

“Edhe procesin e demarkacionit do ta korrigjojmë e do ta përshpejtojmë, e nëse ka implikime do ta nisim prej fillimit, por qëllimi ynë është ta përshpejtojmë e jo ta lëmë në pritje si Mustafa”, ka shtuar Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se beson që brenda pak javësh do të njoftojë BE-në për hapat e ndërmarrë që të mos vonohet liberalizimi i vizave. Brenda pak javësh ai beson se procesi i demarkacionit është në zhvillim e sipër ose i realizuar.