Premtimet për zhvillim ekonomik
Koalicioni PDK-AAK-NISMA dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa edhe kësaj radhe premtuan zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të punës. Se sa do të realizohen këto premtime, tashmë e kemi të qartë nga mandatet e kaluara. Besoj të gjithëve u kujtohet edhe fushata e vitit 2014 kur premtoheshin 200 mijë vende pune.
Këtë bindje e forcon edhe më tepër fakti që koalicioni PAN as që ka paraqitur program, por premtimet e tyre janë vetëm punë fushate. Kurse sa i përket koalicionit LAA megjithëse e shpalosi programin, gabimet elementare në llogaritjet brenda atij programi tregojnë se sa seriozisht e kanë marrë punën e premtimeve.
Premtimet për vija të kuqe
Të gjithëve u kujtohet Ismet Beqiri në vitin 2014 teksa bënte “be e rrëfe” që LDK nuk do të hynte kurrë në koalicion me PDK-në. Dhe të gjithëve u kujtohet se çfarë ndodhi pastaj. Kësaj radhe z. Beqiri nuk është dëgjuar të japë ndonjë premtim të ngjashëm por për këtë është përkujdesur Ilir Deda. E sa do të merret parasysh ky premtim i Dedës përballë gardës së vjetër në LDK, nuk është se ka nevojë të hamendësohet shumë.
Premtimi për ri-shikim të demarkacionit me Malin e Zi
Përjashto disa deputetë që vendosën interesin shtetëror para atij personal, qëndrimet zyrtare të PDK-së dhe LDK-së për demarkacionin me Malin e Zi tashmë dihen. Këto parti ishin të pajtimit që Malit të Zi t’i falej tokë prej 8,200 hektarëve.
Përderisa AAK dhe NISMA gjatë mandatit që shkoi ishin kundër demarkacionit, bashkimi i tyre me partinë që ka nënshkruar këtë version të demarkacionit e qartëson se cili mund të jetë epilogu i kësaj çështjeje pas këtyre zgjedhjeve. Marrë parasysh lehtësinë me të cilën ndryshuan qëndrim për vijat e kuqe ndaj PDK-së, nuk është larg mendësh që edhe për punën e demarkacionit të ndryshojnë mendje.
(Shkrim i sponzoruar nga Lëvizja Vetëvendosje)