Xhavit Drenori nga Vetëvendosje në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ende janë duke pritur rezultate në garën për deputet, por ka thënë se ka korrur sukses në të gjitha komunat, duke u shprehur i ngazëllyer.
Ai ka thënë se zgjedhjet lokale të vitit të kaluar janë arsyeja që i kanë dhënë kaq shumë vota.
“Qëndrimi ynë si Vetëvendosje ka ndikuar që njerëzit të më përkrahin”, ka thënë ai.
Sipas Drenorit, aktivizimi i tij në Vetëvendosje ka ndikuar që Vetëvendosje të renditet e dyta në Drenas e të marrë kaq shumë vota.
“Edhe nëse zgjidhem deputet, nuk do ta lë anash Drenasin. Aty do të hap një zyrë ku do të kenë qasje gjithë qytetarët që të më takojnë”, ka shtuar ai.
Në Drenas, Drenori ka thënë se ka pas dalje të paktë të njerëzve në zgjedhje, derisa ka shprehur bindjen se një numër i madh kanë abstenuar pasi u është nënshtruar presion nga të tjerët.
Sipas tij, PDK ishte arsyeja që në këtë vend nuk pati më shumë votues për Vetëvendosje në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
“Koalicioni i PDK-së me Nismën, ka bërë qytetarët e Drenasit të i ikin këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Drenori.