Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Debati për politikën e jashtme

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gashi: Veprimet në veri, shtrirje e sovranitetit

13 min. më parë / 29 maj 2026 21:05
Liza Gashi

Shtrirje të sovranitetit cep më cep i ka cilësuar veprimet në veri, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Liza Gashi.

Në debatin “Zgjedhjet në Kohë”, Gashi ka thënë se gjatë qeverisë Kurti, Kosova ka shënuar një përparim në aspektin ndërkombëtar dhe në sovranitetin e saj.

“Kjo është dëshmuar përmes njohjeve të reja, hapjes së misioneve të reja, avancimin dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, aderimi në konventa ndërkombëtare dhe në konsolidimin e kontrollit shtetëror në gjithë territorin e vendit”, ka shtuar ajo.

Gashi ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Derisa ka numëruar punët e mira që sipas saj i ka bërë qeveria e tanishme, kandidatja e VV-së e ka akuzuar opozitën se derisa kanë qenë në qeveri nuk janë kujdesur për misione diplomatike dhe se disa prej eksponentëve të tyre kanë lobuar për ndarjen e Kosovës.

“Kemi dy parti opozitare të cilat ndër vite e kanë ngarkuar ministrinë e Punëve të Jashtme me nepotizëm dhe klientelizëm si hap i parë, e dyta e kanë lënë ministrinë e Punëve të Jashtme pa ‘deskoficera’. Asnjëherë nuk janë kujdesur për misione diplomatike përpos interesave të tyre të caktuara, madje kemi eksponent të këtyre partive që kanë lobuar për ndarjen e Kosovës, që e kanë decentralizuar Kosovën dhe mbi të gjitha kanë punuar për interesa të ngushta”, tha Gashi. 

Sipas saj, Kosova i ka kryer detyra e shtëpisë në raport me kërkesat e ndërkombëtare duke shtuar se raporti i Kosovës me partnerët ndërkombëtarë është i koordinuar. 

E derisa ka folur për Asociacionin, ajo ka thënë se Kosova asnjëherë nuk do të pranojë një Republika Srpska.

Gashi ka folur edhe për punën e deritanishme të Qeverisë së Kosovës në Luginën e Preshevës, ku ka thënë se Qeveria Kurti është e para që ka menduar për shqiptarët e luginës.

“Duke filluar nga viti 2020, ku kemi dedikuar gjysmë milioni euro, kemi vazhduar me bursa, ndihma për fermerët dhe dërgimin e librave. Përpos kësaj Qeveria e Kosovës ka ndihmuar Luginën me lobim jashtë vendit pikërisht për pasivizimin e adresave në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, shtoi ajo.

Gashi po ashtu ka thënë se shpreson që këto zgjedhje të prodhojnë një zgjidhje që vendi të mos mbetet i bllokuar.

Nushi: Drafti i Asociacionit është skeleti i Zajednicës që ju kemi frikësuar të gjithë

24 min. më parë / 29 maj 2026 20:53
Nol Nushi

“Drafti i Asociacionit është ai elefanti në dhomë”, ka thënë kandidati për deputet i PSD-së, Nol Nushi, derisa ka hedhur kritika në drejtim të Qeverisë Kurti në lidhje me mënyrë se si e ka zhvilluar dialogun me Serbinë.

Në debatin “Zgjedhjet në Kohë”, Nushi ka thënë se VV-ja ka ardhur në pushtet duke folur për dialogun në mënyrë krejt tjetër prej asaj që ka vazhduar ta bëjë në realitet.

“ VV-ja ka ardhur në pushtet duke folur për dialogun në një mënyrë krejt tjetër, prej asaj që ka vazhduar. Nëse ju kujtohet ka ardhur me atë aksiomën Asociacion as asi as kësi, as me kompetenca ekzekutive as me pa kompetenca ekzekutive dhe sot jemi në një situatë ku ekziston një draft i Asociacionit që është dokument kusht për integrim të Kosovës në mekanizma ndërkombëtar edhe të Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Sipas Nushit, ky draft i Asociacionit është “ai skeleti i Zajednicës që ne ju kemi frikësuar të gjithë”.

“Mendoj që drafti i Asociacionit është ai elefanti në dhomë, mendoj që ajo ka me qenë pika ku këta kanë me tregu që krejt aktiviteti që e ka marrë emrin shtrirja e sovraniteti ka rezultuar me një dokument super të dëmshëm ligjor i cili është bërë obligim në rrugën tonë drejt integrimit evropian”, tha Nushi.

Kandidati i PSD-së ka folur edhe për aleancën e Kosovës me SHBA-të dhe blerjen e armatimeve, ku sipas tij edhe nëse nuk dëshiron Kosova, “Amerika na ka në sferën e sigurisë sepse jemi interes i saj”.

“Blerja e armatimit, Amerika ju edhe mos me dashtë hiq na ka neve në sferën e sigurisë sepse jemi interes i saj, pra nuk është ajo që është kah të jep ty armatim se Qeveria Kurti shumë e mirë, harrojeni këtë film”, ka shtuar Nushi.

Haziri: Qeveria Kurti ka ndërtuar marrëdhënie të kushtëzuara me të gjithë

46 min. më parë / 29 maj 2026 20:32
Lutfi Haziri

Kandidati për deputet i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se Qeveria Kurti ka ndërtuar marrëdhënie të kushtëzuara më të gjithë përfshirë edhe BE-në.

Haziri ka thënë se aplikacioni i Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat po qëndron i mbyllur në sirtarët e BE-së për shkak të këtyre marrëdhënieve.

“Suksesshëm Qeveria Kurti ka arritur të ndërtojë marrëdhënie të kushtëzuara me të gjithë, ka të kushtëzuara brenda shqiptarëve, ka marrëdhënie të kushtëzuara me BE-në me fqinjët dhe raportet e kushtëzuara fatkeqësisht edhe me partnerë më të mëdhenj. Aplikacioni i Kosovës për statusin e vendit kandidat është i mbyllur quhet i palexuar për shkak të raporteve të kushtëzuara. Vizat kanë qenë proces që i ka marrë Kosovës 11 vjet, ka ardhur në një pikë të fundit ku humb çdo lloj durim, nuk është vetëm me shtete mosnjohëse raporti i Kosovës, sepse Evropa është kreative kur dëshiron të bëjë zgjidhje, por ka munguar ky kreativitet në raportin e kushtëzuar”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, Kosova është e detyruar që të bëjë një hap që sjell rezultate të prekshme në mënyrë që të marrë një veprim nga ana e Bashkimit Evropian.

Derisa ka shpalosur programin e LDK-së në debatin “ Zgjedhjet në Kohë”, Haziri ka thënë se LDK-ja do të fillojë një koordinim të politikës së jashtme dhe do të riparojë raportet me partnerët ndërkombëtarë.

“LDK-ja do të arrijë të fillojë një koordinim të politikës së jashtme sipas detyrave kushtetuese dhe ligjore, të aktivizojë diplomacinë parlamentare, të riparojë raportet, të kthejë besimin e partnerëve dhe institucioneve ndërkombëtare dhe të fillojë ta shtyjë aspiratën e Kosovës drejt qëllimeve tona”, ka shtuar Haziri.

Kandidati i LDK-së tutje ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka politikë të jashtme dhe se po bëhen shpenzime të kota të parave me lobime në tavolina sushi.

“Qeveria Kurti nuk ka politikë të jashtme, politikën e jashtme Kosova e ka pasur përmes presidencës dhe diplomacisë parlamentare derisa në krye të kuvendit të Kosovës ishte Glauk Konjufca në rastin e Këshillit të Evropës, pjesa tjetër është shpenzim kot i parave me lobime në tavolina sushi dhe pamundësi me hy. Qeveria e Kosovës disa ministra dhe vetë kryeministri ka pasur kufizime serioze në takime, nuk e kanë taku”, ka thënë ai.

Haziri po ashtu ka folur edhe për pesëshen mosnjohëse të BE-së ndaj Kosovës për të cilat ka thënë se ato nuk kanë raporte armiqësore me vendin tonë, sipas tij, Spanja dhe Sllovakia do të njohin pavarësinë e Kosovës në kohën kur dialogu Kosovë-Serbi të mbyllet pa marrë parasysh se çfarë arrihet aty.

Behrami: Ka mungesë të besueshmërisë së ndërkombëtarëve ndaj Kurtit

58 min. më parë / 29 maj 2026 20:20
Artan Behrami

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka hedhur akuza në drejtim të qeverisë në detyrë, duke thënë se besueshmëria e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës ka humbur për shkak të sjelljeve të paparashikueshme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Behrami ka thënë se Kosova në vitet ‘90 ka pasur qasje më të madhe në SHBA sesa që ka tash.

“Edhe në vitet e 90-ta, Kosova ka pasur qasje më të madhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sesa ka sot. Ka një mungesë të besueshmërisë së bashkësisë ndërkombëtare ndaj këtij kryeministri, meqë ky kryeministër është treguar i paparashikueshëm, ka pak liderë në botë që janë treguar të paparashikueshëm me SHBA-në dhe ata liderë nuk janë në Bashkimin Evropian”, ka thënë kandidati i PDK-së.

Në debatin “Zgjedhjet në Kohë”, Behrami shtuar se kaosin e brendshëm politik, kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka importuar edhe në politikën e jashtme.

“ Kaos, mungesë e parashikueshmërisë, mungesë e koordinimit me bashkësinë ndërkombëtare, sanksione nga BE-ja, sanksione sepse ndryshe nuk mund të quhen me suspendimin e dialogut strategjik, i cili shteteve si Shqipërisë ua ka dhënë SPAK-un, pra reformat e brendshme të shtetit. Kemi pasur ngecje në çdo përpjekje të integrimeve evropiane, po ashtu edhe të anëtarësimit tonë apo synimit të anëtarësimit tonë në NATO”, ka thënë Behrami.

Kandidati i PDK-së tutje ka thënë se misionet diplomatike janë boshatisur, ato janë mbushur me njerëz jokompetentë të cilët i kanë defunksionalizuar të gjitha funksionet diplomatike.

E derisa ka komentuar çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, Behrami ka thënë se në planin e PDK-së është rikthimi i SHBA-së në dialog.

“Së pari duhet të rikthejmë Amerikën në dialog të cilën këta (drejtuar VV-së) e kanë qitë jashtë, kur kanë ardhur në pushtet këta e kanë qitë Amerikën prej dialogut dhe e kanë zëvendësuar me Miroslav Lajçakun”, ka thënë ai.