Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka akuzuar pushtetin për përdorim të gjuhës së urrejtjes, propagandë politike dhe keqpërdorim të resurseve shtetërore gjatë fushatës zgjedhore.
Daka të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, ka thënë se çdo keqpërdorim i mjeteve publike për qëllime elektorale përbën vepër penale, duke ngritur dyshime për vendimin e Qeverisë në detyrë që ndau 2 milionë euro për mbulimin e shpenzimeve të mërgatës vetëm një natë para nisjes së fushatës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Mbledhja e qeverisë në orët e vona një natë para se të fillojë fushata, marrja e vendimit për 2 milionë euro që do të shfrytëzohen për fluturime apo për ardhje të mërgatës lënë shumë vend për dyshime”, deklaroi ajo, duke shtuar se asnjë qeveri pas luftës nuk ka ndarë mjete në këtë formë.
Sipas Dakës, kjo situatë e bën garën zgjedhore të pabarabartë, duke pasur parasysh se partia në pushtet dikur pati kritikuar përdorimin e resurseve shtetërore në fushata.
“Kjo qeveri e ka kritikuar ashpër përdorimin e xhipave, të mjeteve e resurseve shtetërore për fushatë, ndërsa tani jo vetëm që shohim xhipa gjithandej Kosovës, por shohim një sasi të madhe të parave që shfrytëzohet për fushatë”, është shprehur ajo.
Ish-kryetarja e KQZ-së ka vlerësuar se kjo fushatë dhe fushatat e kaluara janë karakterizuar nga gjuhë linçuese, akuza të ndërsjella dhe demonizim i kundërshtarëve politikë, në vend të debateve për programet dhe ofertat konkrete për qytetarët.
Ajo kritikoi veçanërisht partinë deri tash në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje për të cilën tha se më shumë është marrë me propagandë dhe fushatë patriotike sesa me prezantimin e planit qeverisës për katër vitet e ardhshme në rast të fitores.
“Jo që është keq që shteti të kujdeset për kategori të caktuara, por duhet të kujdeset gjatë gjithë vitit dhe gjatë gjithë kohës së qeverisjes e jo të kujtohet në ditët para fillimit të fushatës zgjedhore. Shteti ka nevojë për një dorë gjatë gjithë qeverisjes e jo vetëm disa ditë para zgjedhjeve”, ka theksuar Daka.