Zgjedhjet 2025

PZAP-i hedh poshtë ankesën e Bekim Haxhiut si të pasafatshme

Bekim Haxhiu

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë ankesën e bërë nga Bekim Haxhiu i PDK-së, duke e vlerësuar atë si të pasafatshme. 

Haxhiu, kandidat i PDK-së për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, kishte kërkuar që të anuloheshin votat me postë që ishin pranuar më 2 janar dhe 6 janar. 

Ai kishte thënë se afati i fundit për t’i pranuar fletëvotimet me postë ishte 29 dhjetori dhe tha se KQZ-ja ka pranuar mbi 23 mijë vota pas këtij afati ligjor. Ai tha se përbën një shkelje të drejtpërdrejt të ligjit. 
Por, PZAP në arsyetimin për hedhje poshtë të ankesës si të pasafatshme tha se është kaluar afati 48-orësh nga shkeljet që pretendohet se janë bërë. Për të njëjtën gjë PZAP e kishte refuzuar edhe një ankesë të PDK-së të bërë lidhur me votat me postë. 

Haxhiu në zgjedhjet e 28 dhjetorit mori 21 mijë e 79 vota bazuar në rezultat preliminare të publikuara nga KQZ-ja. Ai ishte i 20-i më i votuari në radhët e PDK-së por nuk siguroi vend në Kuvend shkaku i kuotës gjinore.

PZAP ka hedhur poshtë si të pasafatshme edhe një ankesë të subjektit politik të Nenad Rashiqit, Iniciativa Qytetarë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. Ai kishte bërë ankesë lidhur me administrimin e procesit të numërimit të fletëvotimeve në Qendrat Komunale të Numërimit në Novobërdë dhe Leposaviq. 

E si e palejuar u hodh ankesa e kandidatit të PDK-së për deputet Jakup Nura, që kishte kërkuar më 10 janar të urdhërohet KQZ-ja t’i numërojë të gjitha vendvotimet në Komunën e Skenderajt. 
Ndërsa është konstatuar e tërhequr ankesa e subjektit politik Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK) lidhur me parregullsitë gjatë votimit me postë. IRDK-ja kishte parashtruar ankesë kundër Partisë Liberale Egjiptiane lidhur me parregullsitë e votave me postë jashtë Kosovës. IRDK-ja para shqyrtimit ka njoftuar PZAP-në se për shkaqe subjektive ka vendosur ta tërheqë ankesën. 

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, më herët kishte thënë se shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve mund të bëhet para 19 janarit. 

“Vetëm pas kësaj, KQZ do të procedojë me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Me shpalljen e rezultateve përfundimtare, procesi zgjedhor nuk përmbyllet, pasi subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë ankese ndaj rezultatit, fillimisht në PZAP dhe më pas çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme. KQZ është e obliguar të presë këto vendime, t’i zbatojë ato nëse e detyrojnë diçka dhe vetëm pas kësaj të procedojë me certifikimin e rezultateve... Shpallja e rezultatit përfundimtar mund të bëhet më shpejt sesa data e planifikuar në fillim nga KQZ-ja, e cila ishte 19 janari”, thotë ai.

Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, thotë për KosovaPress, se data 19 janar është optimale për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Megjithatë, ai thotë se shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyll procesin zgjedhor, por i hap rrugë afateve të tjera për kontestimin e mundshëm të këtyre rezultateve. Pas këtyre procedurave, të cilat ai i shpjegon në detaje, do të mund të certifikohen rezultatet, që sipas tij, mund të ndodhin në fund të muajit janar.

“Në bazë të dinamikës së vendimmarrjes së PZAP-së dhe eventualisht Gjykatës Supreme, duket si afat optimal për shpalljen e rezultateve përfundimtare. Megjithatë, duhet përmendur se shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyll procesin, pasi atëherë fillojnë të rrjedhin afatet e tjera ligjore për ankesa në PZAP dhe Gjykatë Supreme, që në tërësinë e tyre mund të marrin kohë deri në trembëdhjetë ditë maksimalisht. Janë 48 orë të drejtë ankese në PZAP, që ka afat 96 orë, pra gjashtë ditë gjithsej, pastaj janë 48 orë të tjera për të drejtën e parashtrimit të ankesës dhe pastaj pesë ditë të Gjykatës Supreme për të vendosur mbi rastet... Besoj se java e fundit e janarit do të ishte një periudhë ideale dhe optimale për certifikimin e rezultateve”, tha Cakolli.