Zgjedhjet 2025

Në 28 nga 38 komuna përfundoi rinumërimi

Drejt përfundimit është procesi i rinumërimit të votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Deri të martën në orën 16, janë rinumëruar 77 për qind e vendvotimeve, teksa në 28 komuna ka përfunduar tërësisht. Pa u rinumëruar kanë mbetur edhe 584 vendvotime nga 2 mijë e 557 sa është vendosur t`i nënshtrohen këtij procesi.

Nga të dhënat e KQZ-së, rezulton se drejt fundit është edhe numërimi për herë të dytë i votave në komunën e Mitrovicës së Jugut, Lipjanit e Novobërdës, nga 10 komuna në të cilat nuk ka përfunduar ky proces.

Nga ky institucion kanë përsëritur se presin që i gjithë procesi të përmbyllet deri të shtunën e rezultatet përfundimtare të shpallen në fillim të shkurtit.

“Fillimisht, procesi i rinumërimit, i cili ka filluar më datë 13 janar, është duke vazhduar sipas planifikimeve të KQZ-së. Në përgjithësi, në QNR janë 76 ekipe numërimi të cilat angazhohen gjatë gjithë ditës. Sipas planifikimeve dhe dinamikës që është duke u zhvilluar këtu në QNR, atëherë KQZ-ja planifikon që procesi i rinumërimit për vendvotimet e mbetura pritet të përmbyllet deri në fund të këtij muaji, që i bie ditë e shtunë”, ka bërë të ditur Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së. 

Elezi ka thënë se pas përmbylljes së rinumërimit duhet të pritet për adresimin dhe shqyrtimin e ankesave të mundshme në PZAP e eventualisht edhe në Gjykatë Supreme, që të përmbyllin në tërësi procesin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Rinumërimi ende nuk ka përfunduar në komunat e mëdha si Prishtina, Peja e Podujeva, derisa në proces janë edhe Suhareka, Rahoveci, Obiliqi e Shtërpca.