Kandidati për deputetë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu ka njoftuar se ka dorëzuar dy ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Ai është ankuar për përfshirjen e mbi 23 mijë pagove të fletvotimeve me postë të cilat sipas tij kanë arritur në Kosovës jashtë afatit ligjor si dhe për llogaritje të gabuar të rezultatit përfundimtar.
“Ankesat lidhen me: 1. Përfshirjen e 23,323 pakove të fletëvotimeve me postë nga votimi jashtë Kosovës, të pranuara pas afatit ligjor, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme; 2. Llogaritjen e gabuar të rezultatit përfundimtar, i cila ka ndikuar në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura me 28.12.2025”, ka shkruar Haxhiu në një postim në Facebook.
Haxhiut në procesin e rinumërimit i janë shtuar 441 vota.
Haxhiu në zgjedhjet e 28 dhjetorit mori 21 mijë e 520 vota bazuar në rezultatet e publikuara nga KQZ-ja. Ai ishte i 20-i më i votuari në radhët e PDK-së, por nuk siguroi vend në Kuvend shkaku i kuotës gjinore.
Haxhiut i duhen edhe mbi 600 vota për ta kaluar kandidatin Ferat Shala, i cili sipas rezultateve ka fituar ulëse në Kuvend.
Ai ka thënë se kërkon vetëm zbatim të ligjit dhe mbrojtje të votës.

“Afatet zgjedhore dhe barazia e votës nuk janë rekomandime, ato garantojnë barazinë e votës dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor. Asnjë vendim administrativ i KQZ, nuk mund të ndryshojë ligjin dhe Kushtetutën. Nuk kërkoj privilegj. Kërkoj vetëm zbatim të barabartë të ligjit dhe Kushtetutës. Mbrojtja e votës së ligjshme është mbrojtje e demokracisë”, ka shkruar Haxhiu.
Për votat me postë Haxhiu u pat ankuar edhe para se KQZ-ja të vendoste për rinumërim.
Por PZAP-ja e pati hedhur poshtë ankesën, duke e vlerësuar atë si të pasafatshme. Haxhiu edhe atëherë pati kërkuar që të anuloheshin votat me postë që ishin pranuar më 2 janar dhe 6 janar.
Ora 11:00 e së hënës (sot) është afati i fundit për subjektet dhe kandidatët për t’u ankuar në (PZAP) para së të bëhet certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.