Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore rreth aktiviteteve të partive politike në ditën e dytë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen më 28 dhjetor. Për premtimet kryesore që kanë dhënë kandidatët për kryeministër e për akuzat e tyre ndaj kundërkandidatëve. Teksti do të përditësohet gjatë ditës me zhvillimet kryesore

Abdixhiku premton punësim për secilin të porsadiplomuar

1 muaj më parë / 18 dhj 2025 22:34 Nga: Ardit Kika
Lumir Abdixhiku

Punësim për secilin të ri të diplomuar, ka premtuar të enjten Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) para qytetarëve në Istog, Gjakovë, Rahovec dhe Malishevë. 

Në tubimin e mbajtur në Gjakovë në kuadër të ditës së dytë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, kryetari i LDK-së dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka bërë zotimin se të gjithë të diplomuarit do të punësohen për të paktën një periudhë gjashtëmujore. 

“Ne e kemi programin e madh kombëtar, risi në nivel të Kosovës: Punësim i garantuar për secilin të porsadiplomuar gjithandej Kosovës. Pagë 500 euro për gjashtë muajt e parë për secilin të ri e të re që diplomon në Republikën e Kosovës. Nuk ka kuptim që një i ri dhe një e re të diplomojë e më pas të sillet rrugëve pa punë e pa të ardhme”, ka premtuar Abdixhiku. 

Kandidati i LDK-së për kryeministër ka thënë para simpatizantëve të partisë se Qeveria aktuale e ka futur vendin në krizë. Ai ka theksuar se kjo situatë edhe e ka përçarë Kosovën, duke e ndarë në “ne dhe ata”

“Bashkëpunimi është zëvendësuar me ndarje dhe e gjithë kjo ka ardhur si rezultat i një mendësie që pushteti nuk e njeh kompromisin si filozofi, nuk e njeh dialogun dhe nuk e njeh shtetin mbi veten”, është shprehur Abdixhiku. 

Ai është zotuar se po qe se bëhet kryeministër, paga e mësimdhënësve do të rritet në 1.000 euro dhe se do të investohet në qendër spitalore të re me vlerë rreth 500 milionë euro. 

Rritje të pagave, Abdixhiku ka premtuar edhe për sektorët e tjerë. 

“Paga e infermierit do të jetë 975 euro, gjersa polici, ushtari e zjarrfikësi do të marrin nga 900 euro dhe në këtë pikë më duhet të them që do të përkujdesemi edhe për pensionistët tanë. Ata që e bënë këtë shtet të zhvillohet e të ndërtohet atë që e kemi si trashëgimi sot. Prandaj, zotohemi që brenda tre vjetëve pensionet do të rriten për 100 për qind, përkatësisht, në vitin e parë të bëhen 200 euro, në vitin e dytë 250 euro dhe në vitin e tretë 300 euro për secilin pensionist në Republikën e Kosovës”, është zotuar ai. 

Vizionin e LDK-së për qeverisjen e katër vjetëve të ardhshëm, Abdixhiku e ka quajtur të shpresës dhe të bazuar në plan e përgjegjësi.

“Kosova ka një shpresë jo naive e jo slogani, por një shprese reale ndërtuar me punë, plan, përgjegjësi dhe me një ekip që pa dyshim e ka Lidhja Demokratike e Kosovës dhe këtu vjen LDK, që nuk është parti e çastit e as e rastit, por është parti që e ka ndërtuar shtetin në kohët më të vështira. Është forcë që ka ditur të udhëheqë, të bashkojë qytetarët në kohë përçarjeje dhe të ruajë mbi të gjitha orientimin euroatlantik. LDK nuk premton mrekulli, premton normalitet, rend dhe ligj. Ne jemi forca që e shohim qytetarin në qendër të politikës”, është shprehur Abdixhiku.

E për Gjakovën, ai ka thënë se ka qëndruar gjithmonë në anën e drejtë të historisë.

“Gjakova ka qenë gjithmonë në anën e drejtë të historisë në ditët e errëta të pushtimit, në ditët e rezistencës së Rugovës, në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në përpjekjet për shtetndërtim. Ka qenë qytet i njerëzve punëtorë, i kulturës, i dijes, i tregtisë, i familjes që kanë ditur të mbajnë shtyllat e shtëpisë edhe kur shteti ka munguar. Gjakova e di mungesën e shtetit dhe ajo e ndjen sot më shumë se çdokush tjetër nevojën për një shtet funksional, të fortë e të përgjegjshëm për qytetarët e vet. Sot Kosova ndodhet në një nga momentet më të vështira politike që nga shpallja e pavarësisë dhe nuk e them për të ngjallur ndjenjën e pasigurisë, por e them për të qenë i sinqertë me ju dhe nuk mund të ketë shpresë pa një të vërtetë të shpallur. Nuk mund të ketë ringritje pa diagnozë të saktë të gjendjes në të cilën jemi sot dhe problemet që përjetojmë janë të dyfishta”, ka theksuar Abdixhiku.

Pas Gjakovë, LDK-ja ka mbajtur tubim elektoral edhe në Malishevë.

“Këtu është ditur të luftohet kur ka qenë e domosdoshme, të punohet në heshtje kur shteti ka munguar dhe të qëndrohet drejt edhe kur koha ka qenë e padrejtë. Prandaj, të flasim në Malishevë për zgjim dhe shpresë nuk është thjesht akt politik – është përgjegjësi morale”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook. 
 

Hamza premton heqjen e TVSH-së për uljen e faturave të energjisë elektrike

1 muaj më parë / 18 dhj 2025 22:30 Nga: Vlerë Mehmeti
Bedri Hamza

Fatura më të ulëta dhe më të përballueshme të energjisë elektrike ka premtuar në ditën e dytë të fushatës elektorale kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza. 

Këtë premtim, Hamza është zotuar se do ta realizojë nëpërmjet heqjes së TVSH-së për energjinë elektrike.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, nëpërmjet një video-adresimi të publikuar të enjten ka prezantuar pesë zotimet e tij të para në rast se e fiton mandatin për ta udhëhequr qeverinë e ardhshme.

“Do t’i ulim tatimet për pagat, ashtu që secili punëtor të marrë më shumë para në fund të muajit. Do ta ulim TVSH-në për produktet esenciale dhe për shumë prej tyre do ta bëjmë zero, ashtu që çmimet e tyre të ulen. Do ta heqim TVSH-në për energjinë elektrike, për faturë më të ulët dhe të përballueshme. Këto janë zotimet e mia: të domosdoshme, të realizueshme dhe jetike”, është zotuar ai. “Qeveria ime do të jetë qeveri e zhvillimit dhe jo e pengesave. Qeveria ime do të bashkojë, të integrojë dhe do të punojë për të gjithë”.

Partia Demokratike e Kosovës, tubimin kryesor elektoral të enjten e ka mbajtur në Vushtrri, komunë kjo me të cilën ajo qeveris në nivel lokal.

Nga Vushtrria, Hamza e ka bërë zotimin për mirëqenie dhe zhvillim më dinjitoz.

“Sot ju ftoj ta ktheni besimin në votë, punën në mbështetje dhe shpresën në fitore. Bashkë, punojmë. Bashkë, ecim. Bashkë, fitojmë. Përpara për çdo qytetar. Përpara për çdo familje që kërkon siguri dhe mirëqenie. Përpara për një Kosovë ma të fortë, më të zhvilluar, më dinjitoze. Me numrin 130, me PDK-në, ecim të sigurt drejt fitores. Bashkë. Përpara. Për Vushtrrinë që meriton ma shumë”, është shprehur ai.

Nikoqiri i këtij tubimi, Ferit Idrizi, i cili në zgjedhjet lokale të 12 tetorit e ka siguruar edhe një mandat për të qeverisur me Vushtrrinë, të enjten e ka kërkuar votën e qytetarëve për ta bërë Bedri Hamzën kryeministër të Kosovës.

“Programi i Bedri Hamzës është një program përmbledhës që garanton mirëqenie të qytetarëve, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, arsim dhe shëndetësi me cilësore, drejtësi dhe politikë të jashtme që i afron të gjithë aleatët ashtu siç i kishte Kosova dikur”, ka thënë ai para qytetarëve të Vushtrrisë.
E tek e ka shpalosur programin e tij politik për qeverisjen e ardhshme katërvjeçare, Hamza ka premtuar se në rast se e merr mandatin e kryeministrit do t’i rrisë pagat dhe pensionet, si dhe do të garantojë zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët.

“Si kryeministër, unë garantoj drejtësi të pavarur nga politika, por të fuqizuar nga shteti. Mbi ligjin nuk do të jetë askush, sepse kjo është baza e besimit të qytetarëve”, është zotuar ai. 

Në programin e tij, Hamza i PDK-së ka shpalosur edhe planet që i ka në rrafshin e mbrojtjes dhe të diplomacisë.

“Shtylla e katërt është mbrojtja dhe politika e jashtme. Kosova ka nevojë që të jetë vend i sigurt. Ne do ta fuqizojmë ushtrinë tonë, do të punojmë me të gjitha kapacitete tona që ta arrijmë që të anëtarësohemi në NATO fillimisht përmes partneriteti për paqe. Integrimi në BE për ne është pa alternativë”, ka premtuar Hamza.

Ai ka premtuar edhe sistem tatimor më të drejtë, lehtësira dhe subvencione për bizneset, krijimin e Fondit të Papunësisë, themelimin e Gjykatës së Punës, ndërtimin e Stadiumit Olimpik Kombëtar, krijimin e fondit prej 30 milionë eurosh në vit për bursa studentore, krijimin e qendrave të kujdesit për të moshuarit në çdo rajon të Kosovës, drejtësi të pavarur nga politika, krijimin e Gardës Kombëtare të Kosovës, si dhe rifillimin e Dialogut Strategjik.

“Qytetarët nuk kërkojnë mrekulli. Ata kërkojnë dinjitet. Stabilitet. Një ekonomi që ua lehtëson jetën. Dhe pikërisht këtë e ofron programi ynë. Zgjidhje reale, të llogaritura, të financuara qartë”, ka theksuar Hamza.

Partia Demokratike e Kosovës e ka bërë në Vushtrri edhe prezantimin i kandidatëve për deputetë të Kuvendit nga kjo komunë.

E pas Vushtrrisë, PDK-ja e ka mbajtur tubimin elektoral të radhës në Komunën e Fushë-Kosovës.
 

Limaj: Qytetarët e kanë mundësinë të rreshtohen krah veprave që e ndryshuan Kosovën

1 muaj më parë / 18 dhj 2025 22:04 Nga: Fitim Gashi
Fatmir Limaj

Nisma Socialdemokrate e ka mbajtur të enjten tubimin hapës të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme në Sallën e Kuqe në Prishtinë. 

Kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj, ka thënë me këtë rast se më 28 dhjetor qytetarët e kanë mundësinë që të rreshtohen krah veprave që e kanë ndryshuar Kosovën. 

“Ka dashtë i madhi zot që me qenë krenar me bashkëpunëtorët e mi në një rrugë që nuk ka pasur shpresë. Dikur si një djalë i ri, si një student, bashkë me shumë shokë dhe shoqe jemi bashkuar për ta mbytur terrin në kohën kur në Kosovë mbretëronin errësira e poshtërimi. Ne u rreshtuam dhe u bashkuam një grup i vogël njerëzish, pra asgjë nuk shihej më shumë, por drita dhe progresi kurrë nuk vjen duke qëndruar në vend... Që nga ajo ditë, asnjëherë nuk kam pushuar me qenë krenar. Gjithë ai rrugëtim me shumë sfida. Çdo rrethim e kemi çarë bashkë. Shikoni mirë këta njerëz këtu përballë, kandidatët tuaj. Kjo është Kosova. Kur në momente të vështira bashkohemi, po japim zemrën tonë, dëshirën, vullnetin për ndryshim. Sot dëgjoni, fjalë do t’i bëjmë rrugët”, ka thënë Limaj.  “Ju e keni përpara vetes njeriun që e ka bërë. Qytetarët e Kosovës e kanë mundësinë që të rreshtohen rreth veprave, rreth atyre që e kanë ndryshuar Kosovën”. 

Nga Prishtina, Limaj ka paralajmëruar se gjatë ditëve në vijim njerëz të partisë së tij do të vizitojnë secilën familje dhe lagje për ta prezantuar programin e Nismës Socialdemokrate. 

“Këto ditë do të vijmë në familjet e juaja, në qytete, fshatra e lagje, jo për të kërkuar votën, por me një kauzë se në numrin 122 është bashkimi, është forca, është ndryshimi. Kush e do bashkimin votoni 122, kujt iu ka thyer zemra që nuk e ka parë bashkimin, le të bashkohet me numrin 122 dhe të shkojmë drejt bashkimit”, ka theksuar ai. 

Limaj ka përsëritur se ai nuk do të heqë dorë as nga bashkimi me Partinë Demokratike (PDK) në Kuvend, pas zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 28 dhjetor.
 

Haradinaj për taksën 100%: I fuqizuam produktet “Made in Kosova”

1 muaj më parë / 18 dhj 2025 22:01 Nga: Ardit Kika
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe njëherësh kandidati i kësaj partie për kryeministër, Ramush Haradinaj, në ditën e dytë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme e ka kujtuar periudhën kur gjatë qeverisjes së tij, Kosova u ka vendosur taksë prej 100 për qind produkteve të Serbisë. 

Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se në atë kohë, taksa u pati dhënë mbështetje prodhuesve vendorë. 

“Gjatë qeverisjes Haradinaj rëndësi të veçantë i kemi kushtuar fuqizimit të prodhimeve "Made in Kosova". Taksa 100% e vendosur ndaj produkteve serbe ndikoi pozitivisht në inkurajimin e prodhuesve vendorë për rritje të prodhimit dhe të potencialit të tyre. Duke fuqizuar prodhuesin vendor, forcojmë shtetin tonë”, ka shkruar ai.

E pas një tubimi elektoral të zhvilluar të enjten në Komunën e Gjilanit, lideri i AAK-së ka theksuar se ky qytet i ka thënë jo pushtetit pa vizion. 

“Gjilani sot dha mesazh të qartë politik: mjaft me stagnim, mjaft me mashtrime, mjaft me pushtet pa vizion. Kjo ishte revoltë, e kjo revoltë po shndërrohet në shpresë dhe vendosmëri për ndryshim me Aleancën në krah. Gjilani u ngrit fuqishëm dhe pa dilema në mbështetje të vizionit të Aleancës, këtë na dëshmuan në tubimin që patëm”, ka shkruar Haradinaj në rrjete sociale. 

Para mbështetësve të AAK-së në Gjilan, Haradinaj ka bërë premtim për rritje të pagave deri në 100 për qind për prokurorë dhe për gjyqtarë, e po ashtu rritje të pagave edhe për policët, si dhe fuqizim të sundimit të ligjit.

Gjatë ditës së enjte, Haradinaj ka takuar edhe ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, me të cilin ka biseduar për projekte infrastrukturore, për mundësinë e bashkëpunimit për projekte ndërkufitare, për promovimin e turizmit malor të qëndrueshëm dhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

 

Kurti në Suharekë kërkon fitore më të thellë sesa më 9 shkurt për “t’i vazhduar projektet”

1 muaj më parë / 18 dhj 2025 21:14 Nga: Fitim Gashi
Albin Kurti

Ditën e dytë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka përqendruar të enjten në tubimin e mbajtur në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi” në Suharekë .

Aty kryetari i kësaj partie, njëherësh kandidat për edhe një mandat si kryeministër, Albin Kurti, u ka kërkuar mbështetje qytetarëve të Suharekës për një triumf, i cili në shpejtësi e mundëson konstituimin e legjislaturës së re si dhe formimin e qeverisë. 

“Atëherë, kur qytetarët e Republikës, banorët e Therandës do t’u drejtohen kutive të votimit në mënyrë që 29 dhjetori t’ia kalojë 9 shkurtit, ashtu që të vazhdojmë mbarë e mirë për projektet për Suharekën e mbarë shtetin. Gjatë periudhës katërvjeçare kemi dëshmuar se qeverisem për siguri dhe begati. Këto duhet t’i rrisim dhe t’i ruajmë, t’i mirëmbajmë dhe t’i shpijmë edhe më tej”, ka theksuar Kurti.

Kryetari i LVV-së ka theksuar në Therandë se gjatë mandatit të tij si kryeministër janë asgjësuar strukturat kriminale në veri dhe në jug të Kosovës. 

“Siguria është kushti i begatisë. Kur themi siguri, e kemi parasysh rendin e ligjin që e kemi vendosur cep më cep dhe tash që po flasim askund, as në veriun, nuk ka struktura kriminale apo ilegale që mund t’i bëjnë ballë drejtësisë së shtetit të pavarur të Kosovës”, ka shtuar Kurti.  

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje i ka akuzuar gjithashtu rivalët nga partitë e tjera për postin e udhëheqësit të Qeverisë se gjatë fushatës po japin premtime ekonomike të cilat, sipas tij, janë pa asnjë mbulesë.

Kurti ka theksuar se kundërkandidatët e tij janë duke bërë premtime “të rrejshme” për rritje të pagave për 50 për qind, pasi që ata “e dinë se nuk do të testohen në ulësen e kryeministrit”.

“Ky është paradoksi i premtimeve të rrejshme. Premtimi i rrejshëm thuhet pa asnjë përgjegjësi, pasi nuk do të vijë puna të testohen kurrë. Kur dëgjoni dikë duke thënë se do t’i zvogëlojmë tatimet dhe do t’i rrisim shpenzimet, veç mendoni se kush i ka dhënë mësim ekonomi këtij personi, ose ka ikë prej orës, nuk bën të përjashtohet. Pra, zvogëlo tatimet dhe rrite shpenzimet”, është shprehur Kurti në Therandë. 

Në kuadër të ditës së dytë të fushatës zgjedhore, kandidati për kryeministër i LVV-së ka bërë vizitë të enjten edhe te organizata “Handikos”. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka bërë të ditur se me këtë rast ka zhvilluar bisedime lidhur me mënyrat për përmirësimin e jetës dhe të kushteve për personat me nevoja të veçanta.

Kurti ka shkruar po ashtu se gjatë mandatit të tij si kryeministër në shkollat e Kosovës janë punësuar 422 asistentë si dhe janë investuar 6.4 milionë euro për pajisje për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

“Faleminderit përzemërsisht organizatës “Handikos” për pritjen dhe takimin. Patëm bisedë të hapur, ku trajtuam sfidat më të mëdha dhe mënyrat për përmirësimin e jetës dhe kushte të dinjitetshme për secilën e secilin person me nevoja të veçanta. Këtë mandat kemi punësuar 422 asistentë në shkolla, investuar 6.4 milionë euro për pajisje për persona paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe miratuar rregulloren e re për nevojat dhe të drejtat e tyre”, ka shkruar Kurti.

Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar pesë vendimet e para në rast se Kurti e siguron edhe një mandat si kryeministër. 

Sipas LVV-së, në mesin e këtyre vendimeve përfshihet miratimi i buxhetit rekord prej 4 miliardë euro për vitin 2026, miratimi i Ligjit të ri për Çmimet Tavan për produktet bazë, heqja e kufizimit të punësimit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare (UÇK), paga e trembëdhjetë si dhe miratimi i pakos për përballje të inflacionit, në vlerë prej 200 milionë eurosh, mbështetja për pensionistët, shtesa për fëmijët, për studentët dhe për punëtorët e sektorit privat, si dhe subvencionimi i faturave të rrymës për ata që kursejnë energji elektrike.
 

Abdixhiku premton mësimin tërëditor në çdo komunë të Kosovës

1 muaj më parë / 18 dhj 2025 20:05
Lumir Abdixhiku

Kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku, ka premtuar 1 miliard euro investim për reformë në arsim që sipas tij përfshijnë mësimin tërëditor në secilën komunë të Kosovës dhe ndërtimin e 80 çerdheve të reja.

Abdixhiku nga tubimi që kjo parti ka mbajtur në Gjakovë tha se mësimi tërëditor po premtohet nga secila parti por është projekt i realizuar me sukses nga LDK-ja në Prishtinë.

“Prezantova planin tonë të madh kombëtar për reformën në arsim: plot 1 miliard euro investim për mësim tërëditor në secilën komunë të Kosovës dhe ndërtimin e 80 çerdheve të reja për më të vegjlit tanë. Që asnjë nënë të mos detyrohet të zgjedhë mes punës dhe fëmijës. Që asnjë fëmijë të mos mbetet pas për shkak të varfërisë. Që shkolla të bëhet hapësirë zhvillimi dhe mundësish, jo thjesht vend kujdesi. Mësimi tërëditorë që premtohet sot nga secila parti; është projekt i ideuar e realizuar me sukses nga LDK-ja në Prishtinë. Koha ta bëjmë standard gjithandej”, ka shkruar në rrjetin e tij social Facebook, Abdixhiku.

Nuk do të heq dorë, do ta çajmë rrethimin - Limaj kërkon votën në Prishtinë

1 muaj më parë / 18 dhj 2025 19:53
Fatmir Limaj

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar votën e qytetarëve për zgjedhjet e 28 dhjetorit, siç ka thënë, për të çarë rrethimin politik.

Në tubimin hapës elektoral në Prishtinë, Limaj tha se ai nuk do të heqë dorë as nga bashkimi me PDK-në në Kuvend pas zgjedhjeve të parakohshme, raporton KosovaPress.
“Unë nuk heq dorë. Unë kam vendosur të shkoj drejt një bashkimi me juve bashkë. Prandaj bashkohuni ta çajmë rrethimin dhe ta bashkojmë fuqinë tonë së bashku. Gjithë Drenica, Malisheva dhe e gjithë Kosova, bashkohuni ta çajmë edhe këtë rrethim bashkë. Është e vërtetë që plot mërgimtarë dhe bashkëluftëtarë tanë që janë në mërgim, me zemër plot kanë pritur bashkimin. Ata e dinë se me këtë energji mund të fitojmë. Ne do të bashkohemi dhe rrugën e bashkimit askush nuk e ka ndalur, nuk mundet me e ndal as këta në Prishtinë. Bashkimi ka filluar nga baza dhe ai bashkim do të kurorëzohet më datën 28 dhjetor duke votuar 122, simbolin e bashkimit”, tha Kurti.
Ai shtoi se qytetarët e kanë mundësinë të rreshtohen krah tij, siç e quajti ai veten, si njeri i veprave e jo i fjalëve.
“Krejt çka thonë ata i kanë fjalë. Para vetes e ke njeriun me këta bashkëpunëtorë që ne i kthejmë në vepra. Qytetarët e Kosovës e kanë mundësinë të rreshtohen rreth veprave, angazhimeve dhe rreth atyre që kanë ndryshuar jetën e tyre”, përfundoi ai./KSP
 

Kurti: Premtojnë rritje të pagave 50% sepse e dinë se s’do të testohen në ulësen e kryeministrit

1 muaj më parë / 18 dhj 2025 19:42
Albin Kurti

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, nga tubimi në Suharekë, ka akuzuar kandidatët e partive të tjera për kryeministër se po bëjnë premtime ekonomike pa asnjë mbulesë.

Sipas tij, ata po bëjnë premtime, siç i quajti ai, të rrejshme për rritje të pagave 50 për qind, pasi 'e dinë se nuk do të testohen në ulësen e kryeministrit’.

“Të tjerët, për bindjen time të fuqishme, kanë premtime pa mbulesë. Ne kemi trend të vazhdueshëm. Realisht LVV-ja nuk ka nevojë as të premtojë, pasi ju po e jetoni trendin e zhvillimit ekonomik dhe shpërndarjes së mirëqenies, ndërkaq ata premtojnë pa mbulesë, thuajse ne nuk i njohim nga e kaluara. Tash thonë, për shembull, rritje të pagave 50 për qind, ndërsa kur ishin vetë ministra paga rritej 4 për qind. Kurse tash, kur nuk janë ministra, paga do të rritet 50 për qind. Por a e dini pse thonë se paga do të rritet 50 për qind, tjetra 90 për qind? Sepse e dinë se ata nuk kanë me u bë, pse të mos e thonë. Ky është paradoksi i premtimeve të rrejshme. Premtimi i rrejshëm thuhet pa asnjë përgjegjësi, pasi nuk do të vijë puna të testohen kurrë. Kur dëgjoni dikë duke thënë se do t’i zvogëlojmë tatimet dhe do t’i rrisim shpenzimet, veç mendoni se kush i ka dhënë mësim ekonomi këtij personi, ose ka ikë prej orës, nuk bën të përjashtohet. Pra, zvogëlo tatimet dhe rrite shpenzimet”, theksoi ai./KSP

Hamza: Ata që humbin punën, gjashtë muaj do të marrin nga shteti 80% të pagës së fundit

1 muaj më parë / 18 dhj 2025 19:14
Bedri Hamza

Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza ka mbajtur tubim elektoral në Vushtrri. Nga atje, Hamza përveç premtimit për rritje të pagave e pensioneve prej 50%, tha se do të krijojnë edhe një fond për ata që humbin vendin e punës.

Hamza sqaroi se përmes këtij fondi, ata që humbin punën, për gjashtë muaj do ta kenë të garantuar nga shteti 80% të pagës së fundit.

“Programi ynë ofron garanci për të punësuarit. Ne do të krijojmë fondin e papunësisë. Një fond i cili iu garanton të gjithëve atyre që për një arsye i humbin vendet e punës dhe jo të ngelin pa paga, por të kenë të garantuar pagesën nga shteti për 80 për qind të pagës së fundit për gjashtë muaj. Do të krijojmë gjykatën e punës. Një gjykatë që do t’i trajton kontratat e punës dhe do t’i mbrojë të drejtat e punës në sektorin privat dhe publik. Në fillim të mandatit do të rriten pagat 50 për qind për arsimtarë, profesorë, mësues, mjekë, policë, ushtarë dhe të gjithë ata që realizojnë paga për buxhetin e Kosovës do t’i gëzojnë pagat me rritje për 50 për qind. Përveç pagave do t’i rrisim edhe pensionet për 50 për qind”, tha ai.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza premtoi edhe ndërtimin e Stadiumit Olimpik Kombëtar, krijimin e fondit prej 30 milionë eurosh në vit për bursa studentore, qendra kujdesi për të moshuarit në çdo rajon të Kosovës, drejtësi të pavarur nga politika, krijimin e  Gardës Kombëtare të Kosovës, si dhe rifillimin e Dialogut Strategjik.

 

“Qytetarët nuk kërkojnë mrekulli. Ata kërkojnë dinjitet. Stabilitet. Një ekonomi që ua lehtëson jetën. Dhe pikërisht këtë e ofron programi ynë. Zgjidhje reale, të llogaritura, të financuara qartë”, ka theksuar Hamza.

Hamza gjatë këtij tubimi e kritikoi partinë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje për mungesë të rezultateve gjatë qeverisjes. Ai deklaroi se këtë keqmenaxhim po e paguajnë qytetarët.

“Viteve të fundit janë dhënë premtime të mëdha, por rezultatet të vogla. U fol shumë për drejtësi, por u krijua pasiguri. U fol shumë për zhvillim, por u rritën çmimet dhe u shtrenjtua kosto e jetesës. U fol për sovranitet, por u dobësuan aleancat. Kosova nuk ka dështuar si shtet, por Kosova është keq-qeverisur. Sot po e paguajnë qytetarët çmimin me paga të ulëta dhe furnizim jo-stabil të energjisë elektrike me çmime të larta”, tha ai.

Haradinaj premton fuqizim të prodhimeve “Made in Kosova” e rritje 100% të pagave të prokurorëve e gjyqtarëve

1 muaj më parë / 18 dhj 2025 15:10
Ramush Haradinaj AAK

Kandidati për kryeministër nga AAK-ja, Ramush Haradinaj ka premtuar rëndësi të veçantë për fuqizimin e prodhimeve “Made in Kosova”. Haradinaj ka shkruar në rrjetin e tij social Facebook se taksa 100% e vendosur ndaj produkteve serbe gjatë kohës sa ishte kryeministër, kishte ndikuar pozitivisht në inkurajimin e e prodhuesve vendorë.

Haradinaj gjithashtu ka premtuar edhe rritje 100% të pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, rritje të pagës së policëve e fuqizim të sundimit të ligjit.

“Gjatë qeverisjes Haradinaj rëndësi të veçantë i kemi kushtuar fuqizimit të prodhimeve "Made in Kosova". Taksa 100% e vendosur ndaj produkteve serbe, ndikoi pozitivisht në inkurajimin e prodhuesve vendorë për rritje të prodhimit dhe të potencialit të tyre. Duke fuqizuar prodhuesin vendorë, forcojmë shtetin tonë.
Rritja 100% e pagave për prokurorë dhe gjyqtarë. Rritja e pagës së policëve. Fuqizim i sundimit të ligjit”, shkroi Haradinaj në Facebok.

Kurti viziton Handikosin: Patëm bisedë të hapur për kushte të dinjitetshme për personat me nevoja të veçanta

1 muaj më parë / 18 dhj 2025 14:23
Albin Kurti

Kandidati për kryeministër nga LVV-ja Albin Kurti, ka vizituar organizatën Handikos. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Kurti tha se biseduan për mënyrat e përmirësimit të jetës e kushteve për personat me nevoja të veçanta.

Kurti poashtu shkroi se gjatë mandatit të tij kanë punësuar 422 asistentë në shkolla si dhe kanë investuar 6.4 milionë euro për pajisje për personat paraplegjik dhe tetraplegjik.

“Faleminderit përzemërsisht organizatës Handikos për pritjen dhe takimin. Patëm bisedë të hapur ku trajtuam sfidat më të mëdha dhe mënyrat për përmirësimin e jetës dhe kushte të dinjitetshme për secilën e secilin person me nevoja të veçanta. Këtë mandat kemi punësuar 422 asistentë në shkolla, investuar 6.4 milionë euro për pajisje për persona paraplegjik dhe tetraplegjik dhe miratuar rregulloren e re për nevojat dhe të drejtat e tyre”, ka shkruar Kurti.

Hamza premton heqjen e TVSH-së për energjinë elektrike dhe uljen e saj për produktet esenciale

1 muaj më parë / 18 dhj 2025 14:09
Bedri Hamza

Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza ka prezantuar pesë zotimet e tij të para në rast se do të jetë në krye të qeverisë.

Hamza përmes një videoje në rrjetin e tij social Facebook, ka thënë se zotimi i parë i tij është rritja prej 50% e pagave për të gjithë punëtorët e sektorit publik, pastaj rritja e pensioneve poashtu prej 50% përfshirë ndihmat sociale. Hamza premtoi se pensioni më i ulët do të jetë, 250 euro.

“Do t’i ulim tatimet për pagat ashtu që secili punëtor të marrë më shumë para në fund të muajit. 
Do ta ulim TVSH-në për produktet esenciale dhe për shumë prej tyre do ta bëjmë zero ashtu që çmimet e tyre të ulen. Do ta heqim TVSH-në për energjinë elektrike, për faturë më të ulët dhe më të përballueshme”, ka premtuar kandidati Hamza.