Në përfaqësi diplomatike votuan 81.29 për qind e të regjistruarve

1 muaj më parë / 27 dhj 2025 21:44
votim

Një ditë para mbajtjes në Kosovë të zgjedhjeve të parakohshme për përbërjen e re të Kuvendit, procesi i votimit u zhvillua në diasporë në 18 shtete të botës. Nga 19 mijë e 187 qytetarë që u regjistruan për votim jashtë Kosovës, këtë të drejtë e shfrytëzuan 15,597 mërgimtarë apo 81.29 për qind e të regjistruarve.

Në këto të dhëna mbi pjesëmarrjen nuk është përfshirë numri i votuesve në dy ambasada dhe dy konsullata në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada, si dhe në ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, meqë në to votimi ka nisur më vonë shkaku i diferencës në kohë.

Procesi i votimit është zhvilluar në 29 përfaqësi diplomatike, në disa prej të cilave fluksi është shkaktuar gjatë ditës.

Ditëve në vijim, këto vota të diasporës do t’i nënshtrohen procedurave të përgatitjes për numërim.

Përfundon votimi në shumicën e ambasadave dhe konsullatave

1 muaj më parë / 27 dhj 2025 19:05
Përfundon votimi në shumicën e ambasadave dhe konsullatave

Ka përfunduar afati i votimit në shumicën e ambasadave dhe konsullatave të Kosovës në botë.

Mbi 19 mijë shtetas të Kosovës kanë pasur të drejtë vote në njërën nga 16 dhe 13 ambasadat e Kosovës.

Në orën 17:00 sipas kohës lokale në Kosovë ka përfunduar afati i votimit në Stamboll, ndërsa në orën 19:00 ka përfunduar edhe në Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republikë Çeke dhe Hungari.

Në orën 20:00 votimi do të përfundojë në ambasadën e Kosovës në Londër, ndërkaq në orën 01:00 të ditës tjetër, gjithnjë sipas kohës lokale në vendin tonë, procesi i votimit do të përfundojë në 4 përfaqësitë diplomatike në SHBA dhe Kanada.

Sipas të dhënave nga votimet në përfaqësi diplomatike të Kosovës në 18 shtete të botës, deri në mesditë, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar mbi 7 mijë nga më shumë se 19 mijë mërgimtarët e regjistruar.

Mbi 7 mijë mërgimtarë votuan deri në orën 13:00

1 muaj më parë / 27 dhj 2025 14:13
votim

Mbi 7 mijë votues kanë votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës deri në orën 13:00. 

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se nga 19 mijë e 187 votuesit në përgjithësi, nga ora 7 e mëngjesit deri në 13:00 kanë votuar 7,079 persona apo 36.89 për qind. 

Elezi ka njoftuar se tashmë ka filluar votimi edhe në përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë. Ai ka theksuar se procesi i votimit në të 29 përfaqësitë është duke u zhvilluar pa ndonjë pengesë. 

“Sipas të dhënave nga 24 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00 nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 36.89% apo 7.079 votues”, ka thënë ai. 

Procesi i votimit do të mbyllet në orën 19:00, përjashtimisht ajo në konsullatën e Kosovës në Stamboll, që sipas kohës lokale të Kosovës mbyllet në orën 17:00. 
 


 

KQZ: Deri në ora 09:00 në 24 përfaqësi diplomatike votuan mbi një mijë votues

1 muaj më parë / 27 dhj 2025 09:55
votim

Foto: Donika Gërvalla/Facebook

Në ora 05:00 me kohën lokale të Kosovës në konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll ka filluar votimi për zgjedhjet e 28 dhjetorit, si dhe nga ora 07:00 ka filluar edhe në 24 përfaqësi diplomatike në Evropë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencën për media ka treguar se në 24 përfaqësi diplomatike ku edhe ka filluar procesi i votimit, deri në orën 09:00 nga 19 mijë e 187 votues, kanë votuar 1 mijë e 659 prej tyre. 

“Sipas të dhënave gjatë këtyre orëve të para të votimit që janë nga 24 përfaqësi diplomatike ku ka filluar procesi i votimit deri në ora 09:00 nga 19 mijë e 187 votues të regjistruar kanë votuar 8.64 për qind, apo një mijë e 659 prej tyre”, tregoi Elezi.

Ai ka shtuar se në përgjithësi janë 29 përfaqësi diplomatike.

“Numri i përgjithshëm i shtetaseve të Kosovës për të votuar në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës është 19 mijë e 187 votues. Vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike  do të mund të votojnë gjatë ditës së sotme pasi në listën votuese që janë dërguar në këto përfaqësi janë vetëm emrat e shtetase që kanë zgjedhur këtë mënyrë të votimit”, tregoi ai.

I gjithë procesi i votimit pritet të mbyllet në ora 19:00, përjashtimisht ajo në konsullatën e Kosovës në Stamboll, që sipas kohës lokale të Kosovës do të përfundojë në ora 17:00.

“Pjesa më e madhe e procesit të votimit në  shumicën e përfaqësive diplomatike mbyllet në ora 19:00 sipas kohës lokale në Kosovë, në përjashtim të konsullatës së Kosovës në Stamboll e cila sipas kohës lokale në Kosovë përfundon votimin në ora 17:00, ndërkaq në katër përfaqësi diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada votimi mbyllet sipas kohës lokale të vendit tonë, në ora 01:00, pak pas mesnatës”, sqaroi Elezi.

Sot votimi në përfaqësitë diplomatike

1 muaj më parë / 27 dhj 2025 07:01
Votimi

Nga ora 07:00 deri në orën 19:00, mbi 19 mijë votues të regjistruar jashtë shtetit kanë të drejtë të votojnë në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Për këtë mundësi votimi janë regjistruar saktësisht 19 mijë e 187 votues.

Procesi i votimit zhvillohet në 40 vendvotime që u përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës, në 18 shtete të ndryshme.

Me ligjin e ndryshuar për zgjedhjet janë tri mënyra votimi nga jashtë, ai nëpërmjet dërgimit të pakos së fletëvotimit nëpërmjet postës në kutitë jashtë vendit, në adresën e KQZ-së brenda Kosovës si dhe nëpërmjet votimit fizik në përfaqësitë diplomatike.

Qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe janë regjistruar me sukses për votim në përfaqësi diplomatike mund të votojnë: Me letërnjoftim, pasaportë ose leje vozitjeje të Republikës së Kosovës – lejohen edhe dokumentet me afat të skaduar, sipas vendimit të KQZ-së.

Shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësi që të votojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë vetëm nëse paraprakisht nuk janë regjistruar për të votuar nëpërmjet postës apo nëpër përfaqësitë diplomatike në shtetet ku janë me qëndrim.

Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës. Votimi nëpërmjet postës përfundon sot. Pakot duhet të dorëzohen në adresën e njërës nga kutitë postare të KQZ-së në shtetin ku jetojnë votuesit apo në kutitë postare më të afërta.

Me qëllim të lehtësimit të procesit të votimit jashtë Kosovës, për votuesit e regjistruar për votim me postë, janë funksionale kutitë postare në 23 shtete - në Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mal i Zi, Maqedoni Veriore, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, Shtete të Bashkuara të Amerikës, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

Më 14 dhjetor, dy ditë pas afatit të paraparë, KQZ-ja e ka nisur procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 58 mijë votuesit e regjistruar jashtë vendit për votim me postë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Shkelja e afatit ka ndodhur për shkak se është vonuar procesi i shtypjes së fletëvotimeve.

Vota e mërgatës ka dominuar si temë në javët e fundit, pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për anulimin e dhjetë Qendrave Alternative të Votimit, pas ankesës së Lidhjes Demokratike (LDK). Vendimin e PZAP-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka apeluar në Gjykatën Supreme, por edhe kjo instancë e ka hedhur poshtë, duke e mbajtur në fuqi vendimin e PZAP-së.

Trendi i votave nga diaspora ka pësuar rritje në tri palë zgjedhjet e fundit. Nga 5 mijë e 201 vota në vitin 2017, më 2019 kanë qenë 19 mijë e 789, më 2021, 56 mijë e 375, ndërsa afro 80 mijë për zgjedhjet e 9 shkurtit të 2025-tës.

Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, të caktuara në një periudhë kur mërgimtarët tradicionalisht ndodhen me pushime në Kosovë, kanë rritur angazhimin e partive për ta siguruar votën e tyre, të konsideruar gjithnjë e më strategjike në garën zgjedhore. Takime mobilizuese dhe thirrje për pjesëmarrje aktive janë mbajtur në qendrat kryesore të diasporës shqiptare në Evropë, edhe para nisjes zyrtare të fushatës në Kosovë.