Qytetarë të Podujevës dolën për të votuar këtë të diel, nëpër qendrat kryesore të qytetit.
Për ta është e rëndësishme që gjendja në vend të ndryshojë dhe presin që ky ndryshim të vijë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, raporton KTV.
Derisa të rinjtë e Podujevës presin më shumë mundësi pune dhe hapësira për ta, gjeneratat më të vjetra thonë se kanë pak shpresa që një gjë e tillë të ndodhë.
Qytetarët e Podujevës ndajnë mendime të ndryshme për zgjedhjet dhe ndryshimet që priten të vijnë, derisa ishin të shumtë në numër ata që votuan në qendrën kryesore të Podujevës.
Shkolla e mesme ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë është qendra me e madhe e votimeve në këtë qytet. Të drejtë vote në këtë qendër kanë 12 mijë e 800 qytetarë derisa të hapura janë 15 vendvotime.
Sipas drejtorit të shkollës dhe mbikëqyrësit të gjithë procesit zgjedhor në këtë qendër, numri i votuesve në këto zgjedhje është rritur ndjeshëm, krahasuar me zgjedhjet e kaluara.
Numri i qytetarëve të Podujevës që kanë shfrytëzuar të drejtën për votë kalon 25 përqindëshin.