Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2019

Osmani në Fushë Kosovë e Obiliq thotë se fitorja e LDK-së i ndalë keqbërësit, kriminelët e të korruptuarit

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, tha të mërkurën gjatë tubimit përmbyllës zgjedhor në Fushë Kosovë se më 6 tetor populli i Kosovës do t'i ndalë keqbërësit dhe ata që edhe miqësinë e shenjtë me SHBA-të po e përdorin për synimet e tyre të mbrapshta politike.

“Ju jeni garancia e fitores sonë të thellë më 6 tetor. Fitores që do t’i ndalë keqbërësit, kriminelët e të korruptuarit të keqpërdorin edhe miqësinë e shenjtë të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A po e shihni çka po bëjnë ? Le ta shohin të gjithë, edhe ata që i kanë votuar më përpara, kush janë këta dhe çka janë në gjendje të bëjnë këta”, tha Osmani.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas saj, oponentë politikë të LDK-së të frikësuar deri në palcë nga humbja që do ta pësojnë më 6 tetor po prodhojnë lajme të rreme.

“Ne jemi të bashkuar sikur në kohën e presidentit Rugova dhe jemi të vendosur si kurrë më parë për t’ia kthyer Kosovën qytetarëve të saj, Kosovën në të cilën ata duhet të jetojnë të lirë e pa shantazhe nga ata që prodhojnë lajme të rreme. Ne në LDK nuk shantazhohemi. Me referendum gjithë popullor PDK-në me 6 tetor do ta çojmë në opozitë për kohë të gjatë. Ne që do të fitojmë nuk e kemi ndërmend që t’i amnistojmë krimet dhe kriminelët, amnisti as mos të presin”, tha Osmani.

Në këtë tubim ka folur edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili ka ftuar banorët e Fushë Kosovës dhe të gjithë Kosovës që të mos iu besojnë e as mos t’ua hapin dyert hafijeve, të cilët po shpërndajnë lajme të rreme dhe të fabrikuara kundër LDK-së.

“Me billborda e fotografi edhe me sjelljen e qytetarëve amerikanë në tubimet e tyre janë tu u mundu me na shti me kesh se gjoja e kanë mbështetjen e Amerikës. Krejt e dimë që janë ka rrejnë. Presidenti amerikan e kancelarja Merkel i besojnë vetëm vullnetit qytetar që do të shprehet më 6 tetor”, ka thënë Haziri.

Kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha, tha se tubimi i sotëm po e dëshmon që në këtë komunë nuk ka të tjerë përveç LDK-së.

“Ne po punojmë që më 7 tetor ta kemi festën e fitores së LDK-së me tri shkronjat, liri, pavarësi e demokraci. Kjo është ajo që i duhet Kosovës”, tha Berisha.

Ndërkaq, Vjosa Osmani qëndroi edhe në Obiliq, ku tha se ky qytet nuk sheh dritë nga mashtruesit dhe blerësit e votave.

“Fitorja në Obiliq e kthen vëmendjen tek potenciali që kjo komunë e posedon. Ju ftoj të gjithë t'i refuzoni mashtruesit, blerësit e votave, sepse Obiliqi nuk do të shohë dritë me ta. Kemi vendosur që Obiliqit dhe gjithë Kosovës t’ia heqim qafe keqpërdoruesit e këtij vendit”, tha të mërkurën kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani.

Ajo tha se Qeveria e Lidhjes Demokratike do të jetë qeveri me njerëz me duar të pastra, që lufton krimin dhe korrupsionin dhe sjell perspektivën për të rinjtë tanë.

Image

Vjosa Osmani tha se banorët e Hades nuk duhet të trajtohen në mënyrë çnjerëzore, por duhet të kenë kujdesin maksimal që meritojnë.

Ajo ka premtuar lidhjen e Obiliqit me sistemin e ngrohjes qendrore të kogjenerimit dhe kujdes maksimal për mjedisin.

Ajo iu tha simpatizantëve në Obiliq, se LDK-ja është alternativa e vetme që garanton zhvillimin ekonomik të Kosovës, mundësi për secilin qytetar dhe kujdes social për shtresat në nevojë.

“Oponentët tanë të frikësuar nga vullneti qytetar për LDK-në, po tentojnë me e ble vullnetin qytetarë, e disa po prodhojnë mashtrime e lajme të rrejshme, po bëjnë montazha e çka jo tjetër. Por nuk ka qytetarë të këtij vendi që mashtrohen. Le ta dinë që duke shpifur nuk munden me fituar besim qytetar”, shtoi Osmani.