Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2019

Muhaxhiri: Pa u ashpërsuar dënimet për fajtorët, s’ndalet manipulimi në numërimin e votave

Sipas analistit Artan Muhaxhiri, rinumërimi i votave në Kosovë është shndërruar në instrumentin më të fuqishëm për luftimin e tendencës së deformimit të vullnetit zgjedhor nga komisionerët e korruptuar.

Ai ka thënë se përsëritja e fenomenit të manipulimit me vota nuk mund të përmirësohet pa masa radikale institucionale dhe ashpërsim të madh të dënimeve për fajtorët.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të rinumërohen edhe 530 vendvotime, pas rinumërimit të 314 ditë më parë. Sipas njoftimit, rinumërimi vjen pas shënimit jo të saktë të subjekteve në formularë, probleme teknike, e gabimet që kanë nxjerrë kandidatë me më shumë vota se subjektet.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ftoi edhe Prokurorinë e Policinë, nëse e shohin të arsyeshme që të jenë prezente gjatë rinumërimit, teksa ditë më parë deklaroi se janë komisionerët ata që po e prishin procesin.

“Rinumërimi është shndërruar në instrumentin më të fuqishëm për luftimin e tendencës së deformimit të vullnetit zgjedhor nga komisionerët e korruptuar. Një procedurë e cila do të duhej shfrytëzuar vetëm në raste të rralla tashmë është bërë domosdoshmëri korrigjuese e keqpërdorimeve të identifikuara”, ka thënë Muhaxhiri në një përgjigje për Koha.net.

Sipas tij, përsëritja e fenomenit negativ të manipulimit me numrin e votave për kandidatët dhe mosmarrja e veprimeve parandaluese, edhe duke pasur parasysh rastet e tilla nga proceset e shkuara, “dëshmon miratimin e kësaj praktike nga liderët partiakë dhe njerëzit e pushtetshëm rreth tyre, por edhe pafuqinë e KQZ-së”.

“Ky mentalitet i lig politik nuk do të mund të përmirësohet pa masa radikale institucionale dhe ashpërsim të madh të dënimeve për fajtorët”, ka shtuar tutje ai.

Sot gjatë ditës, Albert Krasniqi, njohës i çështjeve zgjedhore, përmes një grafike tregoi se trendi i rinumërimit të votave në Kosovë është në rritje. Në zgjedhjet e vitit 2014 ishin rinumëruar 19.59 për qind të vendvotimeve, ndërsa në të fundit kjo ka arritur në 33.14.

Muhaxhiri po ashtu ka komentuar edhe situatën e koalicionit Nisma-AKR-PD që shpresat për kalim të pragut po i mban në rinumërim dhe në votat me kusht. Aktualisht kjo parti, sipas të dhënave zyrtare në uebfaqen e KQZ-së dhe numërimit të votave të ardhura nga jashtë, ka 4.99 për qind.

“Koalicioni Nisma-AKR-PD aktualisht është në teh të pragut zgjedhor, prandaj për të janë të mundshëm që të dy skenarët - kalimi ose moskalimi i 5 përqindëshit. Ky koalicion aktualisht i ka 4.99 për qind, prandaj natyrisht që verdiktin do ta mësojë pas numërimit të kontingjentit të votave me kusht. Pragu është aq afër sa që edhe nëse parimisht projektohet një shpërndarje e këtyre votave në proporcion të përafërt me rezultatin e 6 tetorit, prapëseprapë do të vendosin nuancat”, ka përfunduar Muhaxhiri.