Zgjedhjet 2019

​Limaj: Tema e parë që e pret qeverinë e ardhshme është dialogu dhe taksa

Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit temë të parë për ta trajtuar do ta ketë dialogun dhe taksën. Kështu ka deklaruar kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, gjatë një takimi me strukturat e Nismës në Prizren.

Kreu i Nismës Socialdemokrate tha se qytetarët nuk duhet të mashtrohen nga fjalët, pasi sipas tij tema e parë do të jetë dialogu dhe taksa.

"Në këto katër vjet na presin tema të rëndësishme për vendin, prandaj na duhet me gjet më i bashku njerëzit, me i ofru edhe ata që nuk pajtohen. Jo përplasje, po afrim të qëndrimeve në tema nacionale, kjo ka qenë jeta ime politike dhe slogani bashkë për shtetin, këtë kuptim e ka. Kurrë më e nevojshme nuk ka qenë me qenë bashkë për shtetin në disa tema që na presin ditën e parë të qeverisjes. Lerëni çka iu thonë, tema e parë është dialogu, taksa, këto tema kanë me i pas, çka do që iu thonë sot temën e parë e ka dialogun. Nëse një qeveri që nuk ka me mund me e kry dialogun, përsëri ka me shkua vendi në zgjedhje, këto janë tema që e presin vendin. Duhet me pas guxim me iu thënë qytetarëve çka e pret vendin, duhet me pas guxim me shkua me u ul atje në tavolinë edhe mençuri. Guxim intelektual jo primitiv", tha ai.

Para qytetarëve të Prizrenit Limaj tha se prioritet të qeverisjes e kanë zhvillimin e bujqësisë, ku tha se për katër vitet e ardhshme kanë paraparë 500 milionë euro investime në bujqësi.

Limaj tha se prioritet do të kenë edhe mbështetjen dhe promovimin e prodhuesve vendor. Prioritet tjetër ai tha se e kanë diasporën, paketën sociale, sigurimin social dhe sigurimin shëndetësor.

Kreu i Nismës edhe në Prizren tha se prioritet gjatë qeverisjes së tij do ta ketë reformën në drejtësi, ku ai tha se e di se çka është padrejtësia, sepse është përballur me padrejtësi për vite me radhë.

Pretendenti për kryeministër tha se qeveria e ardhshme do të negociojë për marrëveshjen me Serbinë dhe Kuvendi do të miratojë atë marrëveshje. Prandaj sipas tij, është e rëndësishme cilët deputetë do të votojnë për atë marrëveshje.

"Të gjitha parashikimet flasin që Qeveria e ardhshme dhe Parlamenti i Kosovës, Qeveria do të negociojë marrëveshjen me Serbinë dhe Parlamenti i ardhshëm ka mundësi të votojë atë marrëveshje. Është shumë e rëndësishme çfarë deputetë po qojmë në Parlament atje, kush janë ata njerëz që kanë me e ngrit dorën për një marrëveshje dhe nga ajo marrëveshje do të varet edhe fati i këtyre fëmijëve që ende nuk kanë lindur", tha Limaj.

Limaj tha se ata që tentojnë të bëhen deputetë me mashtrime edhe në Kuvend do të bëjnë mashtrime. I pari i Nismës edhe nga Prizreni u ka bërë thirrje kandidatëve që të përballen në një debat, që sipas tij është e vetmja mundësi që qytetarët të dinë se çka mund të ofrojnë për Kosovën. Ai ka ripërsëritur se ka kandidatë që duan të bëhen kryeministër e që asnjëherë nuk kanë pasur një punë. Limaj tha se ka shumë respekt për kundërkandidatët, por që tha se për ta është shumë herët për ta marrë këtë përgjegjësi.

Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi tha se kandidati i tyre për kryeministër është ndër të paktët që gjithë jetën ka punuar për vendin. Sherifi u bëri thirrje anëtarëve të Nisma Socialdemokrate që të mos ndalen së kërkuari votën për Fatmir Limajn./KsP/