Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar 21 subjekte politike me gjithsej 685 kandidatë për deputetë, ndërsa në shqyrtim kanë mbetur edhe aplikacionet e PDK-së, LDK-së dhe koalicionit AAK-PSD.
Drejtori ekzekutiv i Zyrës për Regjistrim të Partive Politike, Yll Buleshkaj ka rekomanduar certifikim e 21 partive politike prej 25 sa kanë aplikuar, derisa theksoi se katër të tjera janë në proces të verifikimit të të dhënave.
“Kemi arritur që të kryejmë një punë të mirë sa i përket verifikimit të dokumentacionit dhe subjekteve politike, të cilat kanë aplikuar për të certifikuar. Siç e dini kanë aplikuar 25 subjekte politike, ndërsa sot para jush i keni 21, të cilat i rekomandojmë për certifikim të tyre dhe të kandidatëve të tyre. Arsyeja pse nuk janë katër subjektet tjera nuk është asgjë tjetër veçse jemi në proces të verifikimit të të dhënave”, tha Buleshkaj, përcjell Ksp.
Gjatë kësaj mbledhje të Komisionit Qendror Zgjedhor janë akredituar edhe 116 kandidatët e KDI-së që kanë aplikuar si vëzhgues në mbledhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit.