Zgjedhjet 2019

Haradinaj: E kam gjet Kosovën nëpër do tavolina të qosheve, do ta bëjmë 100 % shtet

Me një mesele e ka nisur fjalimin e tij në përmbyllje të fushatës, kreu i AAK-së dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti dhe koalicioni me PSD-në, Ramush Haradinaj.

“A po shkon bre bir knej kah Gjakova me marrë vesh qysh i kemi puntë, se ata e dinë e hajde na trago edhe neve. Po më duket se ju e dini qysh i kena puntë”, ka thënë Haradinaj para masës që kishte mbushur sallën e sporteve në Gjakovë.

“Kur ka zgjedh Gjakova i ka ra mirë edhe Kosovës edhe gjithë shqiptarëve. Kësaj here Gjakova e ka zgjedh Kosovën 100 për qind shtet, e ka zgjedh koalicionin AAK-PSD”, ka thënë më tej ai.

Tutje, Haradinaj ka është ndalur te disa nga pikat me të cilat krenohet për qeverisjen e tij në mandatin që e la në gjysmë me dorëheqjen e tij.

“FSK-ja e ka mundësinë që të bëhet ndër ushtritë më të ira në kontinentit tonë. Policia jonë është më e mira në rajon, dhe po rritet e forcohet çdo ditë. Ata janë në gjendje të mbrojnë Kosovën në çdo cep e në çdo kohë. AKI-ja është në nivel të detyrës, e di se çfarë ndodhë në Kosovë brenda 24 orësh”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se vetëm nga ulja e informalitetit Kosova do të arrijë të ketë të hyra të mjaftueshme për temat që ky koalicion i ka folur gjatë fushatës, derisa ka shtuar se rritja ekonomike nuk do të mbetet nën pragun e ultë, në 6 për qind.

Sa i përket raportit me Serbinë, Haradinaj ka thënë se “kur e shohin fleksibilitetin e kreativitetin e Kosovës, rriten ambiciet edhe të Serbisë edhe të Bashkësisë Ndërkombëtare”.

“Do të vijnë të na kërkojnë diçka tjetër, e na thonë se duhet bërë kompromise të dhimbshme. A pak kompromise në shpirt kemi ne?”, ka thënë Haradinaj.

“Edhe Hashim Thaçi ka menduar se tu i marrë ndryk ndërkombëtarët e tu dalë në syreta e zgjidh problemin. E ka pas gabim e ke kah e fut Kosovën në rrezik. Kosova nuk mund të ketë një ‘Dodik Republikë. E vetmja gjë që mund të japë Kosova është një Asociacion i Komunave serbe, por sipas ligjeve në fuqi e Kushtetutës tonë, edhe tregun e hapur në këmbim të njohjes”, ka thënë ai. “E kam gjet Kosovën nëpër do tavolina të qosheve”, ka thënë ai më tej.

“Kundërshtarët tanë, kolegët tjerë, janë duke bërë gabim, kur po thonë se duhet të jemi fleksbilë e kreativë”, ka thënë Haradinaj më tej.

Haradinaj ka folur edhe për Gjakovën, komunë në të cilën udhëheq përmes Ardian Gjinit.

“Gjakovës ia kanë vonuar investimet 18 vjet. Por mos t’ju mbet hatri, se dora e shtetit këtu është ndjerë vetëm në vitin 2018”, ka thënë Haradinaj.

Duke folur për sondazhet, Haradianj ka thënë se edhe në vitin 2009 ato e renditnin te 7-8 për qind, madje thoshin se nuk do ta kalojë fare pragun.

“Nuk kisha matje, por dilja në popull dhe e ndjeja se nuk është ashtu. Kur erdh dita e rezultateve, nisën 11 për qind. U bë 13 për qind, thash po dal po e festoj fitoren. Duke u numëru shkuam në 18.2 për qind. Ata që po mundohen me shpall veten fitues, e ndoshta edhe janë, ju them se veç populli e di kush është fitues. Bile po u them Gjakovë, ti po e ditke - urime fitorja”, ka thënë Haraidnaj për ta përmbyllur fjalimin e tij dhe tubimin në Gjakovë.

Para tij, në foltore ka dalë kreu i Prishtinës dhe i PSD-së, Shpend Ahmeti.

“S’paskemi bo gabim kur e kemi zgjedh Gjakovën për përfundim të fushatës. Boll e kemi mbush Prishtinën mbrëmë në sallë, por sonte po më dukeni më shumë”, ka thënë Ahmeti.

“I nderuar kryeministër në detyrë dhe kryeministër i ardhshëm, Ramush Haradinaj, e nderuara Anitë, i nderuar nikoqir kryetar Ardian Gjini, të nderuar kandidatë për deputetë, të nderuar qytetarë, mirë se ju gjej në Gjakovë. Qe dhjetë ditë po flasim për programin qeverisës që e kemi bërë bashkë”, ka thënë Ahmeti.

ka thënë se ky program garanton 250 euro pagë minimale, sigurime shëndetësore, zhvillim ekonomik përmes fondit zhvillimor, por mbi të gjitha siguron që Kosova jonë do të jetë 100 për qind shtet.

“Arsyeja pse është e nevojshme që të votohet koalicioni AAK-PSD është e thjeshtë. Ju nuk po votoni për individët, për kandidatët e mrekullueshëm të listës sonë, për Haradinajn kryeministër. Por po votoni për me mbajt Kosovën të plotë, 100 për qind në territorin e saj”, ka thënë Ahmeti, përcjell Koha.net. “Ka njerëz që ende mendojnë se duhet falur territor Serbisë, që duhet të kërkojmë falje për atë që ka ndodhur këtu 20 vjet më parë”, ka shtuar më pas.

Ahmeti ka thënë se Haradinaj nuk ka pasur presion ndërkombëtar, sa ka pasur nga brenda.

“Presionin më të madh e ka pas prej brenda, me shantazhe ndërskamsa, janë mundu me pengu. Kur ka ardh puna me ju thanë që nuk brengosem për karrigen time, kanë provuar të bëjnë shantazhe të tjera”, ka thënë ai. “As Haradinajt nuk i duhet posti i kryeministrit, as deputetëve tanë, as mua nuk më duhet posti i kryetarit të Prishtinës, as Gjinit ai i kryetarit të Gjakovës... asnjërit nuk na duhen postet, nëse Kosova nuk është mirë. Ne sot nuk po e kërkojmë votën që të na ndihmoni për poste, por të na ndihmoni për Kosovën 100 për qind”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka thumbuar edhe kundërkandidatët e Haraindajt për postin e kryeministrit, në raport me taksën ndaj Serbisë.

“Njëra thotë e heqim taksën për 5 minuta, tjetri thotë se duam reciprocitet, e për PDK-në e dimë që ata ve] e kanë heq taksën ende pa ardh në pushtet”, ka thënë Ahmeti.

Kreu i Gjakovës, Ardian Gjini, që në cilësinë e nikoqirit e ka hapur takimin me të cilin AAK-ja e tij i ka dhënë fund fushatës 10 ditëshe, ka folur po ashtu për kundërkandidatët e shefit të tij të partisë.

“Në Kosovë janë edhe tre kandidatë të tjerë për kryeministër. Njëri po dojnë me çu në shpi tjetrin, e tjetri po don me majt atë tjetrin në shpi. Gjakovë këtu e kemi një lider që po don me mbajt Serbinë në shtëpi ku e ka pas çu para 20 vjetëve”, ka thënë Gjini. “Krejt çka po din me bo është me mujt njëri-tjetrin, por kur ka qenë puna me mujt Serbinë larg e kanë pas shtëpinë, secili prej tyre”, ka shtuar më tej Gjini.

Tutje, numri një i Gjakovës, është ndalur te ajo që ka ndodhur në këtë qytet, kur në qeverisje nuk ka qenë AAK-ja.

“Thoshte duam me i ndihmu Gjakovës se është zonë kufitare. Kish harru që Gjakova e ka kojshi Shqipërinë. Veç 700 mijë euro ia ka pru në Gjakovë për tri vjet”, ka thënë Gjini.

“Një tjetër në një tubim të zbehtë këtu para ca ditësh tha ‘liqeni i Çabratit’. Çabrati nuk është vetëm një kodër, por matanë është Meja. Në kodrën e Çabratit është bërë lufta më e madhe urbane në Kosovë. Mos me ditë kush është Çabrati është si mos me ditë kush është Reçaku”, ka thënë Gjini.

E sipas tij, në dy vitet e fundit në Gjakovë janë 100 milionë euro investime të Qeverisë.

“A e dini pse. Sepse z. Haradinaj e di ku është Çabrati e ku Liqeni i Dukagjinit”, ka thënë Gjini.