Subjektit të AAK-së në Lipjan, të hënën në mbrëmje, i ka dështuar tubimi me banorët e fshatit Sllovi për shkak se udhëheqësit e shkollës nuk kanë lejuar që tubimi të mbahej brenda objektit.
Megjithatë ky tubim ishte paralajmëruar me kohë në KKZ dhe në Policinë e Kosovës. Ndërkaq në AAK-në e Lipjanit kanë thënë se në këtë mënyrë po hakmerrej vetë kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti derisa AAK-ja në Lipjan tashti po drejtohet nga Vehbi Imeri që ishte pjesë e LDK-së.
Ramiz Qeriqi, këshilltar në KK të Lipjanit nga radhët e AAK-së njëherësh kandidat për deputet për zgjedhjet e 6 tetorit, ka thënë se kryetari i komunës Imri Ahmeti dhe subjekti i tij LDK-ja, dega në Lipjan, ka nisë t’i frikësohej garës nga AAK-ja derisa kryetari i kësaj partie para pak kohësh ishte pjesë e fuqishme e tyre.
“Me kohë e kemi lajmëruar tubimin në KKZ dhe e kemi marrë aprovimin nga Policia, mirëpo udhëheqësit e shkollës me urdhër të kryetarit Imri Ahmeti nuk na lanë të futem brenda objektit. Ne mendojmë se në këtë mënyrë kryetari Ahmeti nga frika po hakmerrej ndaj kryetarit tonë të AAK-së, Vehbi Imeri i cili tashmë ka marrë pas vetes një pjesë të madhe të elektoratit të tij të LDK-së. Veprimet e LDK-së ndaj AAK-së i ngjasojnë viteve të 90-ta derisa forcat serbe nuk na linin të mbajmë tubime të tilla të ndryshme nëpër objekte shkollore”, ka akuzuar Qeriqi.
Pas kësaj ngjarje kryetari i AAK-së, njëherësh kandidat për deputet Vehbi Imeri, ka mbajtur një konferencë të shkurtër për media duke mos dashur ta sulmojë asnjë subjekt politik me emër për këtë pamundësi të tubimit.
“Tubimi ishte i paralajmëruar në KKZ dhe i miratuar nga Policia e Kosovës, mirëpo sipas të gjitha gjasave këtë pamundësim e kanë aranzhuar subjektet tjera, por megjithatë kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve. Por më 6 tetor do ta vulosim fitoren dhe nuk ka arsyeje për brengosje”, ka thënë midis të tjerash Imeri.