Zgjedhjet 2019

AAK-ja nominon për deputetë persona me aktakuza, PDK, VV e LDK thonë se nuk do të veprojnë kështu

Dy ministrat në detyrë nga AAK-ja me aktakuza, Pal Lekaj dhe Rrustem Berisha, do të garojnë për deputetë.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka konfirmuar për KTV-në se do t’i hyjë garës për ulëse në Kuvend.

Votën qytetarëve do t’ua kërkojë edhe Ministri në detyrë i Mbrojtes, Rrustem Berisha, i cili është i akuzuar në rastin e veteranëve të luftës.

Në listën e AAK-së do të jetë edhe Shkumbin Demaliaj, i cili ka dy aktakuza, njërën për fryrje të listës së veteranëve dhe tjetrën për kërcënimin e ish-prokurorit special, Elez Blakaj.

Ndërkaq, PDK-ja thotë se ende nuk e ka përfunduar listën e kandidatëve për deputetë.

Betim Gjoshi thotë se nuk do të ketë asnjë kandidat të kësaj partie që ka probleme me ligjin, raporton KTV.

Njëjtë janë shprehur edhe në Vetëvendosje.

Edhe LDK-ja thotë se në listën e kësaj partie për deputetë nuk do të ketë persona me aktakuza, ndonëse as kjo parti nuk e ka bërë publike këtë listë.

Ndërsa, në KQZ, gjatë së premtes, Lista Serbe ka dorëzuar emrat e 17 kandidatëve të saj për deputetë.

Në mesin e tyre është edhe Ministri i shkarkuar i Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, i cili i kishte quajtur shqiptarët ‘terroristë’ dhe masakrën e Reçakut ‘trillim’.