Adnan Rrustemi, anëtar i Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është shprehur i befasuar dhe e ka quajtur politik vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërimin e gati 1472 vendvotimeve.
Sipas tij, vendimet e sotme janë politike, pa bazë dhe pa asnjë hetim e verifikim në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Rrustemi ka thënë se është bërë mirë që u vendos për heqjen e votave të ardhura nga Serbia, por ka pyetur se “çfarë do të bëhet me vendimet e mëparshme, që ishin të kundërta për të njëjtën çështje”.
“Kam menduar që PZAP nuk mundet me më befasu më shumë, por jo. Vendimet e sotme që veç ligjore e juridike nuk jane, heshti çdo parim e dispozitë ligjore. Vendime politike, pa asnjë bazë e pa asnjë hetim e verifikim në QNR, që kthejnë mbrapsht gjithçka. Për tri vota të pavlefshme, PZAP ka shkuar në QNR dhe ka hetuar gjithë ditën, kurse për rreth 1500 kuti dhe largimin nga rezultati të disa votave, nuk kanë marrë as mundin që të vizitojnë QNR-në. Ne vazhdimisht kemi kundërshtuar mënyrën e regjistrimit e votimit nga Serbia. Madje kur të tjerët miratonin, unë kam bërë ankesa në PZAP e deri në Gjykatën Kushtetuese - të gjitha i refuzonin, sepse nuk ju duhej për aranzhmane politike të këtij lloji, por ju duheshin edhe për ta votuar Qeverinë. Tani u kujtuan që t'i heqin votat nga Serbia, mirë shumë. Por çfarë do të bëjnë me vendimet e tyre të mëparshme, të kundërta më këtë e për të njëjtën çështje”, ka shkruar ai në Facebook.
“Intenca për ta dëmtuar e devalvuar procesin zgjedhor, janë akti më antikushtetues ndaj demokracisë. E sendërtimi i rezultateve zgjedhore, me vendime politike: hiq një copë aty, e vendos këtu, janë goditje ndaj vullnetit të votuesve”, ka përfunduar ai.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.