Zgjedhjet 2019

Shërbyesit civilë gjithherë prezentë në fushata zgjedhore, kjo është në kundërshtim me ligjin e punës

Foto: Koha / ilustrim

Takimet e tubimet elektorale jo rrallëherë po “përkrahen” edhe nga shërbyesit civilë. Pjesëmarrja e tyre po vazhdon të jetë evidente qoftë në fushata lokale, por edhe ato për zgjedhje të përgjithshme.

Nuk ishte ndryshe as kësaj here në fushatën për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, duke pasur kështu një “traditë” të shkeljes së ligjit nga ana e shërbyesve civilë.

Monitorues të këtyre proceseve po thonë se prezenca e shërbyesve civilë në fushata të caktuara zgjedhore është para se gjithash shkelje e Ligjit të Punës, por edhe atij të Zgjedhjeve të Përgjithshme.

Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës për KosovaPress thotë se pjesëmarrja e shërbyesve civilë në fushata elektorale, ka të bëjë me tendencën e subjekteve politike që të kenë numër sa më të madh të njerëzve në salla. Ndërkohë shton se “Demokracia në Veprim”, ka konstatuar prezencën e shërbyesve civilë në çdo zgjedhje.

“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme e ndalon përfshirjen e shërbyesve civilë dhe aseteve civile, që nënkupton asetet publike, të përfshihen në fushata zgjedhore. Tendenca është e vazhdueshme që shërbyesit civilë të marrin pjesë në fushatë edhe ‘Demokraci në Veprim’ në çdo zgjedhje ka konstatuar prezencën e shërbyesve civilë. Edhe në zgjedhjet e fundit kemi konstatuar që ka pasur pjesëmarrje të shërbyesve civilë në fushata zgjedhore”, thotë Spahija.

Sa herë që konstatohet një shkelje e tillë, Spahija konsideron se drejtorët e divizioneve të caktuara duhet të marrin vendime për shkeljet e Ligjit të Zgjedhjeve, e po ashtu edhe atij të Punës.

Përfshirjen e shërbyesve civilë në fushata zgjedhore, drejtori ekzekutiv i “Çohu” Arton Demhasaj, konsideron se është politizim dhe defunksionalizim i Administratës Publike.

“Konsideroj që është e padrejtë, se shërbyesit civilë nuk bën assesi të involvohen në proceset zgjedhore dhe as të ekspozohen politikisht. Për arsye se pastaj kjo po krijon atë tendencën e politizimit të Administratës Publike, e njëkohësisht po shkakton edhe telashe në funksionim të shërbyesve civilë. Në momentin kur shërbyesit civilë në vend se me qenë në vendin e tyre të punës, ata po vazhdojnë me u end nëpër fushata parazgjedhore të partive politike. Përveç se po e politizojnë Administratën Publike, njëkohësisht edhe po e defunksionalizojnë në kohën sa po ka fushata”, deklaron Demhasaj.

Edhe Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike deklaron për se Administrata Publike në Kosovë është e politizuar, dhe se sipas saj në raste të caktuara shërbyesit civilë po shfrytëzohen për të mbushur sallat. Për çka Loxha thotë se duhet të gjobiten partitë e caktuara politike.

“Gjatë fushatave zgjedhore, të disa palë zgjedhjeve që janë organizuar në Republikën e Kosovës, një prej parregullsive që është identifikuar prej monitoruesve si vendorë edhe ndërkombëtarë, është pjesëmarrja e shërbyesve civilë në tubimet e partive politike. Kjo parregullsi është evidentuar edhe në zgjedhjet që sapo kemi mbajtur më 6 tetor dhe konsiderojmë që është në kundërshtim me ligjin në fuqi. Institucionet kompetente duhet të ndërmarrin masa për të adresuar dhe për të gjobitur partitë ose palët kompetente”, tregon Loxha.

E në një përgjigje dhënë KosovaPress-it, Ministria e Administratës Publike bën të ditur se zyrtarët publikë, të cilët kandidojnë për zgjedhjet qendrore ose lokale, duhet të pezullojnë vendin e punës shtatë ditë para periudhës së hapjes zyrtare të fushatës.

“Pezullimi përfundon pesë (5) ditë pas mbylljes zyrtare të fushatës. Të gjithë zyrtarët publikë të cilët shfrytëzojnë të drejtat e tyre sipas Pikës 1 dhe 2 duhet të dorëzojnë pezullimin e vendit të punës në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, ku ata punojnë, me qëllim që njoftimin për pezullim ta përcjellin tek Divizioni i Pagesave në Ministrinë e Financave”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Administratës Publike.

Në bazë të drejtave politike të zyrtarëve publikë, në këtë përgjigje të MAP-it, mes tjerash thuhet se në rast të zgjedhjes në Kuvendin e Kosovës, zyrtari publik, i cili pranon mandatin, pezullon marrëdhënien e punës prej datës së certifikimit të zgjedhjes së kandidatit deri në përfundim të mandatit përkatës.