Zgjedhjet 2019

Haxhiu: Javën tjetër mund të finalizohet programi qeverisës LVV-LDK

Javën tjetër pritet që Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të finalizojnë programin qeverisë, pas një varg takimesh të mbajtura në nivel të grupeve punuese.

Albulena Haxhiu, nga Vetëvendosje i tha Ekonomia Online se për shumë nga temat e shtruara ndërmjet ekipeve punuese ka pajtueshmëri. Ajo shprehet e bindur se nuk do të ketë probleme sa i përket pozicionimeve të këtyre dy partive në temat e mëdha për vendin.

“Deri tani të gjitha takimet tona janë zhvilluar në një frymë pozitive optimiste, prandaj po besojmë që do vazhdojë kështu, jemi lëshuar tanimë në diskutime për programin qeverisës, të hënën kemi pasur takimin për zhvillimin ekonomik, në 90 për qind të çështjeve jemi pajtua, kanë mbetur vetëm disa adresime të cilat do duhet të gjejnë mirëkuptim dhe pajtueshmëri”, thotë ajo.

Javën tjetër shprehet e bindur ajo se do të finalizohet programi qeverisës për t’i hapur rrugë nënshkrimit të marrëveshjes finale, e cila do të bëhet pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

“Do të vazhdojmë javën ardhshme me politikën e jashtme dhe çështjet sociale, shëndetësia në arsim dhe besoj që java e ardhshme do jetë finale në kuptimin e harmonizimit programor dhe pastaj mbetet vetëm nënshkrim i marrëveshjes finale dhe besoj që do të bëhet në momentin e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”, tha Haxhiu.

Haxhiu, thotë se përfshirja e Lutfi Hazirit në grupin punues nuk është problem i madh për VV-në, kjo pasi roli i tij në ekip nuk do të mund ta ndryshojë qëndrimin e LVV-së.

“Nuk e ndryshon qëndrimin e VV-së asnjë emër i përveçëm që do të mund të jetë në kuadër të LDK-së, ne nuk përcaktojmë se kush janë personat të cilët i vendosë LDK-ja, ne jemi përgjegjës vetëm për personat që VV-ja i cakton, nuk është në kompetencë të VV-së përfshirja e tij, nuk e ndryshon bindjen time aspak në gjendjen që ka kaluar gjatë gjithë kësaj kohe takimet tona. Në kuadër të grupeve punuese nuk kemi mandat të flasim për emra të përveçëm, qoftë për ministri apo pozicione tjera, çështja e tillë mbetet e takimit të kryetarit Kurti dhe z.Mustrafa. Nuk mund të flas për çështje që nuk janë shtruar në takimet tona, pra nuk mund të flas bazuar mbi deklaratat publike, deri tani nuk ka pasur kërkesa të tilla, madje as nuk është në përgjegjësinë tone dhe ky nivel i dikustimit i takon kryetarit Kurti dhe Z.Mustafa”, tha Haxhiu.

E për 12 ministritë e caktuara që e presin qeverinë e ardhshme, sipas Haxhiut, ende nuk ka emra se kush do t’i udhëheq.

Ajo thotë se së pari janë duke u definuar disa struktura të Qeverisë e pastaj do bëhet edhe ndarja e dikastereve.

“Menjëherë pas 6 tetorit ne kemi nisur takimet intensive me LDK-në për të diskutuar për bashkëqeverisjen e ardhshme, nga takimi i parë ka qenë dakordimi të krijohen dy grupe punuese, një në kuadër të VV-së dhe një të LDK-së dhe tani ato grupe punuese po punojnë me intensitet, kemi diskutuar disa çështje programore, së pari kemi definuar strukturën e qeverisë së ardhshme që nuk do të jetë më shumë se 12 ministri kemi përcaktuar numrin e zv.ministrave dhe jemi lëshuar në tema kryesore konkrete me të cilat edhe që janë prioritet i qytetarëve por edhe prioritet i qeverisjes Kurti”, tha Haxhiu.

Një nga proceset që pritet ta përfundojë Qeveria Kurti, Haxhiu thotë se është çështja e vettiungut e cila deri në përfundimin e saj do marrë kohë dy vjet, raporton EO.

“Është prioritet i qeverisë Kurti që të adresohet procesi i vettingut. Qeverisja e VV-së dhe LDK-së do ta përfshijë Kuvendin e Kosovës në procesin e vettingut sepse konsiderojmë që është e rëndësishme, ne kemi përmendur një afat për dy vjet kur duhet të përfundohet si proces në nivelet e larta të prokurorisë, gjykatave, policisë dhe AKI-së. Ne kemi parë që qeveria aktuale është duke u munduar të keqpërdorë secilin mundësi që e ka për të mbushur institucionet me militantë partiak, disa prej konkurseve janë hapur në kohë të fushtaës zgjedhore me qëllim të përfitimit të votave në kuadër të këtyre kon kurseve, gjithcka që është bërë në këtë fazë do të rishqyrtohet nga qeverisja e ardhshme”, përfundoi Haxhiu.

Të enjten janë takuar dy grupet punuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ku temë diskutimi ishte sundimi i ligjit.