Teksa Fatmir Limaj, kandidat për kryeministër i koalicionit Nisma-AKR-PD, deklaroi se ky koalicion ka arritur në 5.5 për qind të votave, numri dy i këtij koalicioni ka dhënë shifër tjetër të përqindjes së votave të rregullta.
Behgjet Pacolli, kryetar i AKR-së, duke e quajtur skandal idenë që votat e ardhura në zarfe nga Serbia të numërohen, ka thënë se koalicioni i tij deri tash ka arritur në 5.05 për qind.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMë herët gjatë ditës, Limaj në një konferencë për media tha se pas rinumërimit të më shumë se 830 vendvotimeve, koalicioni Nisma-AKR-PD ka arritur në 5.5 për qind. Ai vazhdoi duke kërkuar të mos pranohen votat e ardhura nga Serbia.

Pas tij, Pacolli reagoi në Facebook. “Skandali me votat e parregullta të serbëve mund t’i kushtojë Kosovës. Nga numërimi i deritanishëm i votave koalicioni Nisma-AKR-PD ka aktualisht 5.05% dhe ka kaluar pragun. Veprimet e sotme përmes tentimit që votat e parregullta të procedohen e të numërohen është tentim për të deformuar vullnetin e qytetarëve. Votimi në Serbi nuk lejon që fletëvotime të tilla të dorëzohen në postën e Kosovës nga Zyra e Serbisë në Kosovë përmes orkestrimit nga Beogradi, por duhet të vijnë përmes postës, në KQZ të Kosovës. Në zarfe duhet të ekzistojë vula e origjinës prej ku është dërguar vota. Kjo është një shkelje e ligjit dhe ne do të ndërmarrim hapa ligjorë për të parandaluar shkeljen e procedurave. Beogradit dhe Vuçiqit po i pengon që koalicioni ynë ka kaluar pragun dhe nuk lejojmë me votat e tij të manipuluara dhe ilegale të deformohet vullneti qytetar”, ka shkruar ai.

Një dallim prej 0.45 për qind, bazuar në deklaratat e dy liderëve, në numrin total të votave të numëruara pas atyre të rregullta dhe atyre nga diaspora është diku rreth 3600 vota.
Koha.net ka kërkuar sqarim nga AKR-ja për këtë postim të Pacollit, ndërsa nga kjo parti kanë thënë se përqindja e saktë është 5.5%.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, pas numërimit të votave të rregullta, Nisma-AKR-PD kishte 4.96 për qind të votave. Me numërimin e votave të diasporës, ky koalicion arriti në 4.99% duke iu afruar shumë pragut zgjedhor prej 5 për qind.
KQZ më pas vendosi për rinumërimin e më shumë se 830 vendvotimeve. Sipas koalicionit NISMA-AKR-PD, gjatë rinumërimit është dëshmuar se ka pasur keqpërdorim të votave në numërimin e rregullt.