VV e dërgon në Supreme kërkesën për pranim të votave nga diaspora Foto: Driton Paçarada / Koha

VV e dërgon në Supreme kërkesën për pranim të votave nga diaspora

23 October 2019 19:00

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se e ka dërguar në Gjykatën Supreme ankesën për trajtimin e zarfeve me fletëvotime të ardhura nga bashkatdhetarët për zgjedhjet e 6 tetorit, të cilat erdhën në Kosovë me disa ditë vonesë, ndonëse data e dërgimit ishte brenda afateve ligjore.

VV, përmes një reagimi dërguar mediave, ka thënë se është padyshim e patolerueshme që të krijohen të gjitha kushtet, edhe përtej të lejueshmes, për t’u trajtuar zarfet nga Serbia, dhe të mos trajtohen zarfet e ardhura nga bashkatdhetarët tanë.

“Lëvizja Vetëvendosje, pas ankesës në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe përgjigjes së tyre, e dërgoi në Gjykatë Supreme ankesën për trajtimin e zarfeve me fletëvotime të ardhura nga bashkatdhetarët”, thuhet në reagimin e VV-së, raporton Koha.net.

Kjo parti thotë se janë edhe në pritje që të fillojë verifikimi i tyre sa më parë dhe dërgimi në Qendrën e Numërimit për t'u vendosur në rezultatin e përgjithshëm si vota të rregullta.

VV pati kritika edhe për procesin që vazhdoi sot për verifikimin e zarfeve me vota të ardhura nga Serbia, duke thënë se pamjet që u panë sot nuk ishin aspak normale.

“Sot poashtu pamë pamje aspak normale në numërimin e fletëvotimeve të ardhura në mënyrë të parregullt nga Serbia, të cilat shkaktuan probleme në shëndetin e punëtorëve të Komisionit Qendror Zgjedhor. Ndërsa priten rezultatet nga analizat dhe hetimet e Policisë së Kosovës, ende pa u kuptuar qartë se çfarë ndodhi, filloi sërish verifikimi i tyre në kushte të jashtëzakonshme”, potencoi Lëvizja Vetëvendosje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme