Zgjedhjet 2019

Në Podujevë s’ka vendvotim pa vota

Foto: Driton Paçarada/Koha Ditore

Gjatë ditës së sotme, shumë portale kanë raportuar se në një vendvotim të Komunës së Podujevës 1840E/01D nuk ka votuar asnjë qytetar, edhe pse këtu ishin të regjistruar 882 votues. Por, kjo ka dalë të mos jetë e vërtetë.

Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor në këtë komunë, Islam Demolli, ka thënë se ky vendvotim është në fshatin Llaushë dhe se i kanë të dhënat për secilin vendvotim dhe se në të gjithë ka pasur votues. Arsyeja pse nuk figuron asnjë votë në 1840E/01D, sipas tij, është se aty ka munguar K-vota (personi që pas numërimit të votave në qendrën e votimit të dhënat i publikon drejtpërdrejtë në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve). Kryesuesi i KKZ-së në Podujevë thotë se ky nuk është i vetmi vendvotim ku ka dështuar K-vota, por janë edhe 4 të tjerë.

“Aty nuk ka raportuar K-vota, përndryshe na e kemi formularin në zyrë dhe janë të regjistruara votat si në secilin vendvotim. Po K-votë nuk ka pas, nuk ka dështuar veç ai, po në 5 vendvotime nuk ka pas K-votë. Nëse hyn në ueb-faqe të KQZ-së edhe i sheh rezultatet që i ka dhënë K-vota, mungojnë vendvotimet, njëra prej tyre është edhe 1840. Përndryshe formularët te na janë. A K-vota ka dështuar në këto pesë vende, nuk e di pse”, ka thënë Islam Demolli për Kohën Ditore.

“KQZ-ja rezultatet preliminare i jep prej K-votës, e K-votë në atë vendvotim nuk ka pas hiç, në atë qendër. Në ueb-faqe e sheh që në Komunën e Podujevës se janë numërua votat 106 prej 111 votimeve, për shkak se në 5 ka mungua K-vota. Mirëpo ne si KKZ i kemi edhe për ato të dhënat. Tash ka filluar procesimi në Qendër të numërimit edhe KQZ-ja tash fillon vendvotim për vendvotim për çdonjërin, kur t’i vjen rendi Podujevës, plotësohen të dhënat edhe për këto vendvotime”, ka shtuar ai.

Sipas uebfaqes së KQZ-së, në Podujevë janë numëruar 99.1 për qind e votave, me LDK-në që prin me 38.51 për qind e VV-në si e dyta me 34.44.