Zgjedhjet 2019

Osmani: Sonte nuk mund të shpallet fituesi, fitore e madhe e opozitës

Descriptive Text

Vjosa Osmani, kandidate e LDK-së për kryeministre, ka thënë se sonte s’mund të flitet për fitues, pasi duhet të pritet deri në numërimin e të gjitha votave.

Edhe pse Vetëvendosje prin para LDK-së me rreth gjashtë mijë vota më shumë, me 82 për qind të votave të numëruara, Osmani ka thënë se rezultati i sotëm tregon fitore të madhe të opozitës.

“Në radhë të parë dua të falënderoj të gjithë qytetarët për pjekurinë e treguar në këtë proces zgjedhor e në veçanti për pjesëmarrjen masive që rezultoi me largimin e partive që deri tani kanë keqqeverisur e me fitoren e madhe të opozitës. Dua të falënderoj në veçanti përkrahësit e LDK-së për mbështetjen e madhe e që na dhanë mundësinë që për vetëm një muaj ta ngrisim partinë tonë e ta rikthejmë fuqishëm. Për sonte pajtohemi që s’mund të shpallet fituesi meqenëse do të presim deri në numërimin e votës së fundit. Rezultati do të përcaktohet nga mërgata dhe votat me kusht siç duket”, ka deklaruar ajo. “Natyrisht që do të presim rezultatin final, sepse siç e keni parë dallimi ishte herë te ne herë te na. Dallimi tani është 0.7 për qind dhe është i domosdoshëm numërimi i votave me kusht dhe mërgatës që mund ta bëjnë dallimin. Në fund do të respektojmë në tërësi vullnetin e sovranit”, ka thënë ajo.

Sipas saj, LDK-ja është e hapur për të negociuar me VV-në për të qeverisur me vendin.