Zgjedhjet 2019

Krasniqi: Partitë s’kanë çfarë t’u ofrojnë qytetarëve që refuzojnë të dalin në zgjedhje

Edhe mosvotimi është pjesëmarrje në zgjedhje dhe është mesazh për partitë politike, të cilin ato duhet ta lexojnë me kujdes. Partitë duhet të mendojnë seriozisht që t'i zgjojnë këta votues dhe të jenë më shpresëdhënëse me ofertat e tyre. Kështu është shprehur sociologu Artan Krasniqi, në një intervistë për KTV-në.

Ai kujtoi zgjedhjet e paraluftës dhe pas saj kur pjesëmarrja ishte masive, gjithnjë me shpresën se ato do të sjellin realizimin e idealeve të tyre. Pra, mosdalja është edhe ndëshkim.

“Njerëzit nuk votojnë, sepse nuk u besojnë këtyre partive politike dhe këtyre politikanëve, është shprehur Krasniqi, duke ftuar të gjithë qytetarët që të dalin në zgjedhje pasi më mirë është që t’i zgjedhin drejtuesit vetë sesa që politikanët të vetëzgjidhen. Një pjesë e madhe e pjesëmarrësve në zgjedhje është klientelë e këtyre partive, e këtë e kanë krijuar vetë partitë politike pasi përmes tyre synojnë të dalin të parët në vend. E kam përshtypjen pikërisht për këtë arsye partitë politike nuk angazhohen që ta zgjojnë këtë votues, sepse nuk kanë çfarë t’i ofrojnë realisht”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij përgjegjësinë më të madhe e ka opozita, pasi pozita e ka strukturën e saj.

“Opozita nuk kthehet te hulumtimet se pse nuk po votojnë këta njerëz”, ka thënë Krasniqi. “Pse nuk dalin në zgjedhje është se ata nuk besojnë në partitë politike. Nuk është se ata nuk e dinë rëndësinë e votimit, por janë të pashpresë së dikush mund ta ndryshojë gjendjen. Nuk mundemi ta fajësojmë qytetarin për mospjesëmarrje në zgjedhje”.

I pyetur për veriun e Kosovës, ai shfaqi shpresën që gradualisht veriu të integrohet.

“Është shumë me rëndësi që atje ka një oponencë të Listës Serbe dhe është shumë me rëndësi që atje të ruhet qetësia dhe që qytetarët të votojnë të lirë, pa frikë e pa presione. Kjo mendoj se është edhe thirrja e ndërkombëtarëve dhe e institucioneve të Kosovës. Qytetarët duhet të votojnë për ata që pasqyrojnë më së miri jetën e tyre. Presioni nuk shihet gjithmonë, por edhe në këtë fushatë kemi raportuar se ka një tendencë për të marrë votën në mënyrë jo të ligjshme”, ka thënë Krasniqi.