Zgjedhjet 2019

Veseli në Podujevë thotë se nuk do të ketë tatime të reja për ndërmarrësit, premton ulje të taksave

Kandidati nga PDK-ja për kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli, në tubimin e sotëm me qytetarë të Podujevës, theksoi se vetëm edhe tri ditë i ndajnë nga një moment vendimtar dhe ditë e madhe e fitores së PDK-së në Llap dhe gjithë Kosovën.

Veseli theksoi se orientimi i tij është në drejtim të fuqizimit të shtetit të pavarur dhe sovran, si dhe mbështetje për rininë, fermerët, ndërmarrësit, ku nuk do të ketë tatime të reja, përveç ulje të taksave.

Ai tha se ka për qëllim që përmes fuqizimit të ekonomisë, ta fuqizojnë shtetin e pavarur dhe sovran.

Po ashtu, Veseli premtoi mbështetje për kategoritë e dala të luftës dhe rritje të pensioneve 80 për qind.

Për këtë platformë, Veseli kërkoi nga llapjanët që më 6 tetor ta votojnë PDK-në dhe ta fuqizojnë Kosovën dhe perspektivën e tyre.

“Orientimi ynë do të jetë në drejtim të fuqizimit të shtetit tonë të pavarur dhe sovran. Qëllimi jonë është ta përkrahim rininë, sektorin e teknologjisë së re, të gjithë fermerët, do t’i përkrah ndërmarrësit dhe nuk do të ketë asnjë tatim për ta. Po ashtu ndërtimet pa leje do të legalizohen. Pra, qëllimi është që përmes fuqizimit të ekonomisë forcojmë shtetin tonë të pavarur dhe sovran”, tha Veseli.

Kandidati për deputet nga dega e PDK-së në Podujevë Rrustem Mustafa, tha se është i bindur për fitoren e PDK-së në këto zgjedhje, sepse sipas tij, kjo parti ka platformën për luftimin e korrupsionit dhe ruajtjen e miqësisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ish-komandanti i UÇK-së për zonën e Llapit, tha se vetëm me Kadri Veselin kryeministër mund të ketë zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët e vendit.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës fund shekullin e kaluar ka vulosur miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe besoni se këto marrëdhënie do t’i vazhdojë Kadri Veseli kryeministër i Republikës së Kosovës. Kryeministër është i vetmi që mund t’i fillojë këto prioritete për mirëqenie në gjithë Republikën e Kosovës”, tha Mustafa.

Kryetari i degës së PDK në Podujevë, Naim Fetahu tha se fitorja e PDK është e rëndësishme, sepse askush nuk di më mirë t’iu prijë proceseve nëpër të cilat kalon Kosova, se sa Kadri Veseli kryeministër.

Kandidatët për deputet nga radhët e PDK-së nga komuna e Podujevës janë Rrustem Mustafa, Fahri Osmani, Floretë Zejnullahu, Shqiptar Demaçi, Ismet Abdullahu, Nexhmi Muçiqi dhe Naim Fetahu./KsP/