Zgjedhjet 2019

Veseli: Me PDK-në mësimdhënësit do të kenë dinjitet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh edhe kandidat për kryeministër, mbrëmë ka mbajtur tubim me mësimdhënës të Komunës së Prizrenit dhe me disa veprimtarë të sferave të kulturës dhe sportit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në bisedë me mësimdhënësit Veseli, në prani të kandidatëve të PDK-së nga Prizreni, duke i falënderuar mësimdhënësit për përkrahjen e deritashme, në mes tjerash ka deklaruar se PDK-ja është parti e fjalës, është parti e mbajtjes së premtimeve dhe është parti e cila ka qenë dhe do të jetë e përkushtuar për arsimin më shumë se çdo parti tjetër.

Ai ka thënë se PDK-ja ka për mision që përmes një arsimi të shëndoshë ta krijojë një mjedis shoqëror të shëndoshë.

Tutje thuhet se me PDK-në në pushtet, arsimi do të nisë nga niveli 0, përkatësisht nga mosha 0 – 6 vjeç, sepse me edukimin e brezit të ri nëpër institucione shkollore, do ta kemi një rini më të shëndoshë, më të arsimuar dhe më të përgatitur për të qenë në ballë të sfidave.

“Prioritet do t’i japim”, ka thënë Veseli “shkollimit primar dhe përzgjedhja e profesioneve të nisë që nga klasa e gjashtë, e nuk do të krijojmë kuadro të tepërta në ato profile që Kosova nuk ka nevojë. Shkollat profesionale do të jenë prioritet i qeverisë sime. Ashtu siç e kemi mbajtur fjalën deri më tash do ta mbajmë edhe në të ardhëm , që të jemi në shërbim të mësimdhënësve”.

Ai thotë se me PDK-në mësimdhënësit do të kenë dinjitet, do të jenë krenar me punën e tyre, sepse angazhimi ynë do të jetë shumë më i madh seç ka qenë deri më tash, pasi tash kemi infrastrukturë dhe na nevojitet të angazhohemi në cilësi dhe në paga të dinjiteshme.

Veseli duke folur për rëndësinë e arsimit ka thënë se arsimi ka qenë shtylla që e ka sjellë Kosovën deri në çlirim, në fillimin e ndërtimit t; shtetit dhe arsimi do të jetë shtylla që do ta përfaqësojë Kosovën në botë. Veseli në fund u ka bë thirrje mësimdhënësve që të votojnë pa hezitim për 112, e të mos bien pre e subjekteve tjera, që nuk kanë as guxim e as vizion për arsim.

Në këtë tubim me mësimdhënës, para mësimdhënësve ka folur edhe Enver Hoxha, ish-Ministër i Arsimit të Qeverisë së Kosovës, dhe ka theksuar se Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kadri Veseli, do t’i bëjë mësimdhënësit edhe më krenarë, sepse do të arrihet brenda këtij mandati digjitalizimi i procesit mësimor. Librat janë pa pagesë, por libra do të mundohemi që të kemi më pak, sepse do të përpiqemi ta bëjmë digjitalizimin e shkollave dhe mësimin tërditor në gjithë Republikën e Kosovë. Për këtë projekt madhor, tash janë pjekur kushtet, sepse gjatë viteve të kaluara sa ne kemi qeverisur, kemi ndërtuar objekte shkollore, ndërsa tash do të fokusohemi në cilësi.

“Vota juaj për PDK-në, është votë për të ardhmen e mësimdhënësve dhe nxënësve”, ka thënë ai.

Në takim në emër të kandidatëve të Prizrenit ka folur nikoqiri i takimit Shaqir Totaj, i cili u ka bërë thirrje mësimdhënësve, që të përkrahin vizionin e Kadri Veselit, sepse është njeriu që e përkrah Amerika, dhe “nuk kemi arsye të mos i besojmë ne. Andaj, vota juaj është votë për ardhmërinë, votë për ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe është votë për një arsim cilësor e të shëndetshëm”.