Zgjedhjet 2019

Ymeri ironizon me autobusin e PDK-së, të LDK-së dhe “veturën” e VV-së

Kandidati për deputet në listën e AAK-PSD-së, Visar Ymeri, ka ironizuar me një spot zgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës.

E ka përdorur si shembull për të thumbuar edhe LDK-në, por edhe ata që i ka quajtur shokë të tij, Lëvizjen Vetëvendosje.

Në tubimin e përbashkët të AAK-së e PSD-së në Istog, Visar Ymeri, në fjalimin e tij ka zgjedhur të komentojë partitë e tjera.

“Dje duke i shikuar disa reklama në televizion më doli një reklamë me një autobus që ish prish në rrugë edhe i pash ishin dal krejt PDK dhe e shtyjshin përmas, me Kadri e me të tjerët, e u mundojshin me e dërgua në breg, thash vet me vete jo, jo nuk merret rruga me autobus të prishtë ashtu. Por le ta shtyjnë se kanë kohë, ka me pas zgjedhje edhe pas katër vitesh ndoshta mbërrijnë atëherë”, ka thënë Ymeri, përcjell Kosovapress.

“E kemi edhe LDK-në ata nja një muaj kanë fol mes vete kush po i grah autobusit, meqë nuk mundën me u marr vesh thanë le te mban Isa timonin, le t’i ndërron shpejtësitë Lutfi Haziri, e Vjosa le t’i jep gaz. Nuk ec autobusi ashtu”, ka thënë më tej Ymeri.

“Edhe i kemi këta të LVV-së, këta shokët e mi, ata përnjëmend autobusit nuk i kanë grah kurrë po e kanë një farë kerri të vogël atje në Prizren, herë nën rrugë në ara e herë mbi rrugë në breg, asnjëherë në rrugë nuk po munden me e vendos. E qe besa unë nuk mundem me ua lënë këtyre njerëzve autobusin në rrugën që e ka Kosova sot, veç një njeri mundet me i grah atij autobusi, ne kemi vendosur që ai është Ramush Haradinaj”, tha ai.