Zgjedhjet 2019

Lë Hungarinë për Kosovën - Fridon Lala nga IRD-ja synon ta ndryshojë gjendjen e komunitetit egjiptas

Pas tri vjetësh qëndrimi në Budapest të Hungarisë, në Universitetin e Evropës Qendrore, ku studioi Politikat publike, Fridon Lala është kthyer në Kosovë për t’i hyrë një sfide tjetër, garës për deputet në Kuvendin e Kosovës.

28-vjeçari nga Gjakova thotë se niveli i lartë i papunësisë nga radhët e komunitetit egjiptas dhe ikja e të rinjve nga Kosova, e kanë shtyrë atë që të garojë për deputet, raporton KTV.

Ai tregon se u kritikua shumë nga shoqëria e cila ishte kundër kthimit të tij në Kosovë, por përmes përfshirjes së tij në politikë synon që ta ndryshojë edhe qasjen e të rinjve ndaj shtetit.

Lala është i bindur se duke qenë deputet do t’ i ndihmojë komunitetit egjiptas të integrohet në shoqërinë kosovare, pasi thotë se ky komunitet është një ndër grupet më të margjinalizuara në vend.

Fridon Lala po kandidon për herë të parë për deputet dhe është pjesë e partisë Iniciativa e Re Demokratike për Kosovën.

Fushatën e saj, kjo parti po e zhvillon kryesisht në Gjakovë dhe Pejë, ku ka numër më të madh të banorëve nga komuniteti egjiptas.